Drejtori i burgut të sigurisë së lartë të Peqinit, Kamber Hoxha dhe 12 zyrtarë të tjerë të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit janë ndaluar nga policia.
Ndalimi i tyre është bërë një ditë pas ngjarjes së rëndë brenda këtij burgu, ku i dënuari përjetë Sokol Mjacaj, ka vrarë me armë zjarri një tjetër të dënuar, Arben Lleshin, brenda qelisë së tij dhe ka plagosur Ilir Shaqjan, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shoqërimi është bërë për faktin se në burg nuk punonte për një kohë të gjatë skaneri, por edhe disa kamera sigurie.
Në lidhje me ngjarjen, ka dëshmuar autori Sokol Mjacaj, i cili është shprehur se armën e kishte siguruar rreth një muaj e gjysmë më parë, ndërsa Lleshin e kishte ekzekutuar pasi ky i fundit nuk e kishte pranuar në sektor.
Megjithatë, Prokuroria vijon hetimet për ngjarjen dhe nuk përjashton pistën se vrasja mund të jetë kryer me porosi.
Mesditën e djeshme, Sokol Mjacaj ka qëlluar nga dritarja e qelisë për vdekje Arben Leshin, i dënuar gjithashtu me burgim përjetë për vrasjen e shtetasit Agim Hoxha në vitin 2012 në Britaninë e Madhe. I plagosur ka mbetur edhe i burgosuri tjetër, shtetasi Indrit Shaqja.
28-vjeçari i ka shkuar viktimës tek dritarja e qelisë së tij, tek zona ku dalin për ajrim.
Si pasojë e plagëve të marra Arben Lleshi ka humbur jetën, ndërsa mbetet mister se si Sokol Mjacaj kishte siguruar armën brenda burgut të sigurisë së lartë.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte urdhëruar vendosjen e tij në regjimin 41 bis.