Artan Hoxha ka folur për ngjarjen tragjike në Britaninë e Madhe, ku 27 vjeçari Leonard Farruku i dha fund jetës në një anije që strehon azilkërkuesit, deri në momentin kur ata marrin përgjigje për kërkesën e tyre.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Hoxha deklaroi se qeveria shqiptare nuk pati asnjë reagim për këtë ngjarje. Po kështu qeveria nuk reagoi edhe rreth një muaj më parë, kur u vetëvra një tjetër azilkërkues shqiptar, Alfred Dosku.
“Si rasti i Leonard Farrkut që vrau veten, 37 vjeç ka qenë Alfred Dosku kur vrau veten, para se ta kthenin nga Britania.
Pasi u bë marrëveshja në 13 dhjetor mes Ramës dhe Sunak për deportimin e shqiptarëve, nga Britania më erdhën dy grupe juristësh që i kishin vënë në lëvizje organizatat e të drejtave të njeriut. Ata ishin të interesuar, a ofron vërtet Shqipëria siguri. Erdhën të shohin disa zona, nga ku ishin pjesa më e madhe e emigrantëve. A e kishte mundësinë Shqipëria, për të ofruar këto garanci, që Rama i kishte dhënë Sunak?
Ata ishin të bindur dhe thanë që këtë raport do t’ua paraqesim autoriteteve, që Shqipëria nuk ka kapacitetet.
Në rastin konkret, si në ngjarjen e parë edhe në të dytën, nuk flet askush nga autoritetet shqiptare. Po kështu ndodh edhe për shqiptarë që vriten nëpër burgjet e Greqisë apo Italisë.
Rama flet për politika globale, ngjarjet në Gaza, Rusinë, krizën humanitare, ndërkohë kemi problem real, kemi gati 40% të popullsisë jashtë.
Një pjesë e mirë e tyre janë pa dokumenta dhe kanë këto problematika”, tha Hoxha.