Situata e opozitës, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë për VOA: Çdo zyrtar apo ish-zyrtar, të mbrohet me mjete juridike dhe jo politike

Arben Çejku, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Qeverisje të Mirë si dhe ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, flet mbi situatën e vështirë në të cilën ndodhet opozita në Shqipëri dhe se çfarë mund të bëhej ndryshe, në funksion të ecurisë më të mirë të vendit.

Zoti Çejku thotë se “sa më shpejt që të organizohet opozita, aq më mirë do të ishte për Shqipërinë dhe mbështetësit e saj”. Duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vend, aksionit të mosbindjes civile nga një pjesë e opozitës, si dhe kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, zoti Çejku thotë se “drejtësia duhet të vazhdojë punën e vet dhe çdo zyrtar apo ish-zyrtar, duhet të mbrohet me mjete juridike dhe jo politike”.

Zëri i Amerikës:
Zoti Çejku, një pjesë e opozitës në Shqipëri është përfshirë së fundmi në një aksion mosbindjeje civile, që siç tha sot ish-Kryeministri Sali Berisha, do të jetë pa kthim. Por jo e gjithë opozita e mbështet këtë qasje. Është fakt i njohur që opozita prej 10 vitesh tashmë është e përçarë e në përpjekje për t’u reformuar, por ka shumë që po ngrenë argumentin se ajo ndodhet në pikën më të ulët të saj. Si mendoni se ndikon një gjë tillë në ecurinë vendit?

Arben Çejku: Sigurisht që opozita, tashmë pas dy vitesh që gjendet në një kaos të organizimit të brendshëm dhe të përfaqësimit të elektoratit shqiptar, ka nevojë dhe është ekspozuar tejmase e konsumuar përsa i përket artikulimit të interesave të qytetarëve. Ajo çfarë shohim ne është ballafaqimi i një grupi të caktuar për çështje që lidhen me nongratën ndaj ish-kryeministrit dhe me çështjet e tij të fundit të lidhura me drejtësinë.

Unë mendoj se drejtësia duhet të vazhdojë punën e saj dhe çdo zyrtar apo ish zyrtar duhet të mbrohet me mjete juridike dhe jo me mjete politike. Për aq kohë sa mjetet politike kërkojnë t’i bëjnë gjyqin drejtësisë atëherë sigurisht që do të kemi këto lloj shfaqjesh. Sa më shpejt që të organizohet opozita për të qene në misionin e saj për të cilin është votuar, aq më mirë do të ishte për Shqipërinë, për parlamentin por edhe për mbështetësit e saj. Për aq kohë sa një pjesë e opozitës është në kaos për të mos gjendur rrugën e përfaqësimit të interesave të qytetarëve, sigurisht që është për të ardhur keq të shohësh edhe skena të tilla që janë shumë të sforcuara me një retorikë të pambështetur në argumente.

Zëri i Amerikës: Zoti Çejku, zoti Rama ka 10 vjet në pushtet, është në mandatin e tretë të tij, me gjasë do të fitojë edhe të katërtin nëse opozita do të vazhdojë të jetë kjo që është. A ndani dhe ju shqetësimin e disa analistëve se një gjë e tillë, qëndrimi i gjatë të pushtet në vende me një kulturë të dobët demokratike, sikurse Shqipëria, ushqen prirje autokratike në qeverisje?

Arben Çejku: Jemi futur në një rreth vicioz nga i cili është e vështirë për të dalë tashmë për aq kohë sa nuk kemi një riorganizim të opozitës dhe opozitarizmit në Shqipëri. Ndryshimi nuk mund të vijë duke i kërkuar qeverisë që të jetë më e mirë, apo të bëjë një qeverisje më të mirë, por ndryshimi vjen duke parë një opozitë që reflekton interesat e qytetarëve, pritshmëritë e tyre dhe është një opozitë që kthehet në alternativë për të udhëhequr përpara. Për aq kohë sa ne nuk shohim një mundësi të një organizimi të një opozite, pra të një alternative për të ndryshuar qeverisjen, sigurisht që autoritarizmi edhe nëse nuk është mision në vetëve dhe qëllim në vetvete, është një shfaqje që nga mbingarkesa e pushteteve, është e pamundur për të patur një qasje të re.

Zëri i Amerikës: Shumica e opozitës sot është e rreshtuar krah ish kryeministrit Berisha, i cili është shpallur nongrata nga Uashingtoni dhe Londra. A mendoni se opozita ka të ardhme me një politikan si zoti Berisha?

Arben Çejku: Për mua është i tejkaluar edhe si politikan, por misioni i tij është kryer deri në vitin 2013 si kryeministër dhe nuk mund të ketë kthim mbrapa, qoftë për respektin që mund të kemi për figura dhe për kontributet që kanë dhënë. Unë mendoj që duhet një rikonfigurim i gjithë opozitarizmit rreth figurave të reja dhe nuk duhet që të jemi peng i të shkuarës apo i personave që kanë patur pushtet. Unë mendoj se zoti Berisha dhe gjithë të tjerët që mund të thirren nga SPAK, duhet të përgatiten në aspektet juridike dhe të mos mendojnë që rruga e përdorimit politik apo përdorimi politik i rrugës mund të sjellë rezultat për ta apo për qytetarët. Nga të gjitha studimet që kemi bërë, rezulton që qytetarët shqiptarë nuk kanë pritshmëri dhe besim tek politika e së shkuarës. Ata shohin të ndryshojnë këtë qeverisje që është, e jo të kthehen tek modele apo personazhe të së kaluarës.

Zëri i Amerikës: Zoti Çejku, ju keni shërbyer edhe si ambasador i Shqipërisë në Kosovë, e cila sot gjendet në një fazë mjaft të rëndësishme, ku pritet normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë. Megjithatë, vërehet një ftohje e marrëdhënieve mes dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe atij të Shqipërisë. Cili është mendimi juaj më lidhje me këtë marrëdhënie?

Arben Çejku: Mendoj se lufta për protagonizëm mes tyre ishte në fillin një luftë që nuk u kuptua se ku mund të çonte marrëdhëniet mes dy qeverive. Në fakt, ato janë peng i disa emocioneve politike të secilit prej tyre. Por, unë mendoj gjithësesi që Shqipëria duhet të luajë një rol më proaktiv për çështjen e Kosovës. Ajo ishte anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, por edhe në nisma dhe organizma të tjerë duhet të ndihmojë Kosovën sepse në fund të fundit, Kosova është pjesë e stabilitetit të rajonit. Edhe nëse nuk do të ishte Kosova ajo që është për ne edhe po të ishte një vend tjetër fqinj, si Maqedonia e Veriut apo dikush tjetër, Shqipëria do të duhet të kujdeset për stabilitetin e rajonit. Marrëdhëniet nuk duhet të personalizohen midis dy kryeministrave, ato duhet të jenë marrëdhënie mes dy qeverive me programe të caktuara. Nuk është numri i marrëveshjeve të nënshkruara ajo që përbën suksesin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por zbatimi i tyre në praktikë dhe unë mendoj se ende ka shumë punë për t’u bërë nga të dyja qeveritë. Dhe çdo lloj përdorimi i çështjes së Kosovës për interesa të brendshme politike apo për një retorikë ndërkombëtare nuk është i dobishëm. Në thelb të gjitha marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë duhet të kalojnë nëpërmjet Kosovës. Kjo është një traditë e politikës sonë të jashtme, nuk mund të kemi ne një kapërcim të marrdhënieve të fqinjësisë së mirë me Serbinë duke anashkaluar Kosovën.

Megjithë sfidat dhe problemet e brendshme që ka Kosova, nuk është Shqipëria ajo që e përcakton kryeministrin e Kosovës, por qytetarët e Kosovës. Dhe nga ana tjetër, sigurisht që zoti Kurti duhet të zbusë retorikën e tij, herë pas here të paqartë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Ai duhet të jetë një bashkëpunëtor i mirë, sepse Kosova është ajo që është si rrjedhojë e investimit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Dhe sigurisht, gjithçka që është arritur në rrugën euroatlantike të Shqipërisë, qoftë anëtarësimi në NATO apo çdo gjë tjetër, është rrjedhojë e një mbështetje që kemi marrë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe nga NATO. Kështu që në këtë kuadër, udhëheqësit politikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, duhet të jenë modestë për atë çfarë përfaqësojnë. Ata më shumë përfaqësojnë sfida sesa mund t’i japin leksione një demokracie jashtë territoreve të tyre. Ata duhet të kryejnë detyrat e tyre të brendshme. Zoti Rama duhet të kryejë reformat që lidhen me reformën elektorale dhe reforma të tjera të brendshme dhe zoti Kurti sigurisht që duhet të ballafaqohet me sfidën e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe çështje tjera që lidhen me zhvillimet e brendshme në Kosovë.

Zëri i Amerikës:
Le të flasim për zgjedhjet në Serbi. Ato konfirmuan në pushtet, të paktën rezultatet paraprake, Presidentin Aleksandar Vuçiç, i cili mendohet se mund të qeverisë i vetëm, pa patur nevojën e një koalicioni. Si mendoni se mund të ndikojnë këto zgjedhje tek bisedimet me Kosovën?

Arben Çejku: Lajmi i keq, të themi në thojëza, është për demokracinë e brendshme në Serbi, e cila reflekton fitoren e një autoritarizmi përballë një demokracie të mundshme. Pra, ashtu edhe siç i konsideruan kolegë të tjerë nga Amerika, zgjedhje të lira, por jo të drejta dhe sollën këtë produkt. Kurse, sa i përket Kosovës, e mira e kësaj mund të përkthehet në atë që, duke ditur se kush është Vuçiç dhe çfarë rruge ka bërë në dialogun me Kosovën, mund të ketë mundësi për të ushtruar më shumë presion ndaj tij. Dhe pak a shumë edhe paralajmëroi menjëherë pas fitores, që në raport me Kosovën, do të vazhdojë presioni, por ai thotë që ne nuk do ta njohim pavarësinë. Natyrisht, që do të jenë miqtë tanë, partnerët tanë, të cilët do të kujdesen për të ushtruar presionin e mjaftueshëm mbi Serbinë, por edhe mbi Kosovën për të përmbushur detyrimet e tyre. Për sa i përket Kosovës, do të thoja që në fund të fundit marrëdhënia e saj me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është bilaterale dhe në këtë marrëdhënie duhet që Kosova të tregojë progres dhe sukses si dhe të jetë e sinqertë në marrëdhënie. Kurse sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, sigurisht që sfida mbetet e hapur./VOA

Arena e Lajmit

Situata e opozitës, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë për VOA: Çdo zyrtar apo ish-zyrtar, të mbrohet me mjete juridike dhe jo politike

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook