Në Shqipëri, Këshilli i Mandateve dhe Rregullores, të parlamentit, miratoi sot kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili është nën hetim për procedurat e privatizimit të ish Klubit sportiv Partizani, pëmes të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e truallit ku shtrihej ish klubi e mbi të cilin më pas u ngrit një kompleks pallatesh.
Vendimi mori votën unanime të 6 anëtarëve të Këshillit, mes të cilëve deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, ishte përfaqësuesi i vetëm i opozitës. Deputetët e tjerë e bojkotuan mbledhjen. Brenda ditës së mërkurë, Këshilli do të hartojë relacionin që do t’i paraqitet për votim seancës së radhës, më 21 dhjetor.
Pak përpara nisjes së mbledhjes, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij, u grumbulluan në një protestë, pranë zyrave të parlamentit. Më herët, ai, nga zyra e tij njoftoi “fillimin e betejës pa kthim në rrugët e Tiranës, sheshet e saj, në çdo skaj të këtij vendi. PD është e vendosur t’i përgjigjet dhëmbë për dhëmbë sundimit të Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve”.
Zoti Berisha ka përsëritur disa herë se aksioni i opozitës, nuk lidhet me çështjen e tij me Drejtësinë, por me faktin që shumica socialiste ka refuzuar ngritjen e disa komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita, duke i mohuar kështu asaj një të drejtë kushtetuese. Megjithatë në deklaratën e tij sot, para se të niste protesta dhe seanca për vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, ai e sulmoi me tone të ashpra këtë institucion. “Prokurorë mercenarë, paraqiten në komisionin e mandateve të parlamentit pasi kanë kryer puçin kushtetues, i kanë marrë pushtetin parlamentit me urdhër të Edi Ramës, pasi shkelur me dy këmbët nenet 73 dhe 38 të kushtetutës së vendit”, deklaroi ai.
Fillimisht ndaj zotit Berisha, me vendim të Gjykatës së Posaçme u kërkua masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje” dhe “Ndalim i lëvizjes jashtë shtetit”. Ish kryeministri refuzoi publikisht t’i bindej këtij vendimi të cilin e konsideroi në shkelje të kushtetutës, pasi sipas tij, Prokuroria do të duhej t’i drejtohej parlamentit për të marrë autorizimin e tij. Pasi për disa herë me radhë ai nuk u paraqit pranë oficerit të policisë gjyqësore, Prokuroria e Posaçme, ju drejtua Parlamentit duke kërkuar një masë më të ashpër “arrest shtëpie/arrest me burg”.
Ditën e njoftimit të kësaj kërkese, zoti Berisha u shpreh se “çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit, do ta respektoj pa asnjë diskutim”. Ndërsa sot, për mbledhjen e nisur në parlament, lidhur me kërkesën e prokurorëve ai u shpreh se “ky është një poshtërim i parlamentit. Kjo është shpallja e tij një zyrë legalizimi e veprimeve të paligjshme, një zyrë amnistie për aktet e paligjshme, zyrë noterie”.
Javën e shkuar, deputetët që mbështesin ish kryeministrin, iu drejtuan gjykatës Kushtetuese për të kërkuar prej saj që të interpretojë, nëse për masat “Detyrimi për paraqitje” dhe “Ndalim i lëvizjes jashtë shtetit”, nevojitet ose jo, të kërkohet paraprakisht autorizimi i parlamentit, kur bëhet fjalë për një deputet, Po ashtu kërkohet dhe “pezullimi i masave shtrënguese, të karakterit personal, ndaj deputetit Sali Berisha, derisa gjykata Kushtetuese të shprehet me vendim përfundimtar për këtë çështje”.
Zoti Berisha, zgjodhi të ishte në protestën pranë parlamentit, duke dërguar në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve avokatët e tij, të cilët që në hyrje kërkuan pezullimin e seancës, në pritje të vendimit të gjykatës Kushtetuese.
Një kërkesë e cila u hodh poshtë nga Këshilli, me votën edhe të deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, i vetmi përfaqësues i opozitës në mbledhje. Gjatë mbledhjes, prokurorët e Posaçëm, refuzuan të shprehen rreth hetimit ndaj zotit Berisha, duke deklaruar se kërkesa e tyre për autorizim nga parlamenti, lidhej me faktin se zoti Berisha kishte shkelur urdhrat e gjykatës.
Përpara mbështetësve të tij, në protestën pranë parlamentit, zoti Berisha bëri thirrje që të mblidhen sërish të enjten, më 21 dhjetor, kur është parashikuar seanca e radhës e parlamentit. “Do përdorim çdo mjet të mosbindjes civile ndaj këtij regjimi. Nuk ka forcë që na ndal më. Ne jemi dhe do mbetemi luftëtarë të lirisë gjer ditën e fitores së plotë, e largimit, e përmbysjes së këtij regjimi që po shfaros shqiptarët”, u shpreh zoti Berisha, në fjalën që i dha fund mitingut të sotëm.
Deputeti Gazmend Bardhi dhe deputetët mbështetës të tij nuk morën pjesë as në tubimin jashtë mjediseve të Kuvendit dhe as brenda në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve. Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, votoi hapur pro pranimit të kërkesës së SPAK-ut./VOA