KLSH: Qeveria bën tendera pa fonde, 370 mln euro për investimet do të paguhen pas vitit 2024

TIRANE

38 miliardë lekë ose 370 milionë euro janë detyrimet e shtetit ndaj kontratave të investimeve që duhen paguar pas vitit 2024. Sipas KLSH, zhvillimi i tenderave për investime publike pa marrë paraprakisht miratimin e Ministrisë së Financave po shndërrohet në veprimtari të errët, që rrit shanset për shpërdorimin e taksave të shqiptarëve, humbjen e efektivitetit të tyre dhe rritjen e barrës së detyrimeve të buxhetit në avancë.

Një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Ministrinë e Financave që kishte në themel procedurat për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e buxhetit të shtetit gjeti se janë se paku 38 miliardë lekë (370 milionë euro) detyrime ndaj kontratave të investimeve që duhen paguar pas vitit 2024. Për disa projekte punimet kanë mbaruar, por financimet duket se do të bëhen deri në fund të dekadës në vijim.
Për shembull rruga Kardhiq -Delvinë me kosto totale 14,2 miliardë lekë, do të përfundojë totalisht vitin që vjen, por 3,1 miliardë lekë, ose 22 për qind e kostos do të jepet pas vitit 2024.

Projekti “Unaza e re e Tiranës” e cila ka si afat përfundimi vitin 2024 ka një kosto totale 35,6 miliardë lekë, por 14 miliardë leke ose rreth 40 për qind e vlerës totale do të paguhet pas vitit 2024.

Në total do të jetë rreth 370 milionë nga projektet e investimeve që do të paguhen pas vitit 2024. Inspektorët e KLSH -së kanë vërtetuar se entet publike nisin procedurat e prokurimit pa marrë më parë miratimin nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ato marrin angazhime buxhetore pa pasur fonde të disponueshme. Më pas miratimi i fondeve buxhetore bëhet vetëm me qëllimin e lidhjes së kontratës (20% e vlerës) dhe më pas shkurtohen. Çelen projekte investimesh të reja me Akte Normative, teksa mbyllen investimet në proces.

Sipas KLSH-së, këto veprime krijojnë kushtet për krijimin e detyrimeve të prapambetura me efekt rritjen e borxhit publik. Kjo si pasojë e mosrespektimit të kufijve të miratuar për shpenzime në vitin buxhetor aktual dhe kufijtë e miratuar për vitet e ardhshme buxhetore.

Arena e Lajmit

KLSH: Qeveria bën tendera pa fonde, 370 mln euro për investimet do të paguhen pas vitit 2024

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook