PSG dhe futbolli francez në tërësi është tronditur nga ngjarje e rëndë. Portieri i tretë i PSG-së, Alexandre Letellier, jetoi një makth të vërtetë, së bashku me familjen e tij të hënën mbrëma.
Ai ishte “viktimë” e një grabitjeje nga tre hajdutë, që hynë në shtëpinë e tij në Yvelines. Krahas bastisjes në shtëpi nga kriminelët, portieri parizien u mor peng, së bashku me gruan dhe fëmijët e tij 2 dhe 6 vjeç nën kërcënimin me thikë.
Momente ankthi autentik për të gjithë familjen. Në Francë raportojnë se një nga hajdutët ka goditur në fytyrë edhe gruan e Letellier, duke e bërë edhe më dramatike historinë. Për fat të mirë, gjithçka mbaroi para se gjendja e saj të përkeqësohej.
Hyrja e hajdutëve ka bërë që të bjerë alarmi, i cili ka sinjalizuar menjëherë policinë, që ka mbërritur në vendngjarje dhe ka mundur të kapë kriminelët e t’i arrestojë. Ata janë dy të mitur, 16 vjeç dhe një më i rritur 21 vjeç.
Në vend është gjetur edhe një thikë, me gjasë ajo e përdorur për të kërcënuar familjen, por gjithçka do të duhet të konfirmohet pas përfundimit të hetimeve. Një punonjës policie, ndër të tjera ka mbetur i plagosur në gju gjatë arrestimit të tre hajdutëve.
Tek të dyshuarit janë gjetur edhe sende të ndryshme të vjedhura nga shtëpia. Nën kërcënimin e një thike, sulmuesit dyshohet se kërkuan para dhe bizhuteri nga Letellier dhe familja e tij. Nuk është hera e parë që diçka e tillë ndodh brenda skuadrës së PSG-së.
Në të kaluarën kishte ndodhur edhe me lojtarë të tjerë të kalibrit të Marquinhos, Thiago Silva, Di Maria, Dani Alves, Choupo-Moting, Sergio Rico dhe Icardi. Viti 2021 ishte një vit i zi me katër futbollistë të grabitur në shtëpi. I fundit ishte Donnarumma, verën e kaluar.
()