I burgosuri Indrit Shaqja që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë në burgun e Peqinit, ka dëshmuar përpara hetuesve se në qelitë e burgut kanë mbërritur dy letra anonime ku do të jepeshin 200 mijë euro jo vetëm për vrasjen e Arben Lleshit por edhe të një të dënuari tjetër.
“Ka deklaruar gjithashtu se gjatë gjithë kohës që ka qenë në burg dy herë në sportelin e derës së dhomës ka gjetur dy letra të shkrujtur me shkrim dore, një rreth katër vjet më parë dhe tjetrën rreth një viti e gjysmë më parë në burgun e Peqinit me të njëjtën përmbajtje se do të paguajmë 200 mijë euro, do të sigurojmë dhe helmin që ty ta kryesh vdekjen e atij Arben Lleshit, nëse je dakord në të dyja rastet i kanë thënë se nëse je dakord na kthe përgjigje me letër.
Është deklaruar gjithashtu se në të dyja rastet letrat ia ka dhënë shtetasit Arben Lleshi për të cilin deklaroi se ka dijeni gjithë burgu, kam pasur marrëdhënie të mira në Fushë Krujë ndërsa më pas i ka prishur për shkak se i përbuzte fenë ky i dënuar.
Në Peqin ka qenë për 3 muaj në regjim të posaçëm se ju kap telefoni në dhomë. Në vijim ka deklaruar se një anonim i ka dërguar letër Arben Lleshit tek dhoma se e paralajmërojnë se për kokën tënde po paguajnë 200 mijë euro dhe për Xheladin Krujën 200 mijë euro”, thuhet midis të tjerash në dëshminë e Indrit Shaqes, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy kunatave të moshuara në Durrës pak vite më parë me synim për t’i grabitur.
Xheladin Kruja akuzohet se ka vrarë dy vëllezërit Eliton dhe Enton Grezda, 20 dhe 18 vjeç në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër, ngjarje kjo e ndodhur më 3 maj të vitit 2001. Krimi i rëndë ndodhi pas një grindjeje mes të rinjve kur edhe Kruja ishte asokohe 22 vjeç. Pas sherrit ai shkoi në shtëpi, mori automatikun dhe qëlloi me breshëri drejt dy vëllezërve. Ai u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua dy ditë më vonë.
Por, teksa vuante dënimin në burgun e Shën Kollit, më 3 qershor të vitit 2012 ka tentuar të vrasë ish-kreun e komunës Rrethina, K. M. Sipas organit të akuzës nga hetimet e kryera, u provua, falë edhe pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së burgut, se i pandehuri Xheladin Kruja e ka goditur në qafë shtetasin Keleves Muja me një tub të modifikuar si thikë.