15 persona janë arrestuar si dhe janë sekuestruar 10 mijë euro cash, 3 armë, 6 makina të modelit të lartë dhe 15 celularë, në një operacion në Spanjë.
Organizata kriminale, e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe spanjollë, sipas mediave të huaja, dyshohet se ka kryer më shumë se 100 grabitje në provinca të ndryshme spanjolle, të cilat kryeheshin në jo më shumë se 5 minuta ssecila. Garda Civile, në një operacion të përbashkët me Policinë Kombëtare, ka shkatërruar një organizatë kriminale që dyshohet se i “dedikohej” kryerjes së grabitjeve me forcë në shtëpi.
Hetimi filloi në fund të janarit të kaluar kur u zbulua një rritje e vjedhjeve në shtëpitë në provincat e León dhe Asturias. Pas këtyre ngjarjeve, u morën të dhëna që çonin në ekzistencën e një rrjeti kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas me origjinë shqiptare dhe që do të kishte bashkëpunimin e individëve spanjollë për detyra logjistike si marrja me qira e automjeteve apo gjetja e banesës.
Organizata kriminale, me qendër në Katalonjë, por me lëvizshmëri të madhe në të gjithë Spanjën, përbëhej nga pesë celula të individëve shqiptarë shumë të “specializuar” në vjedhjet brenda shtëpive. Ata kishin shpërndarje shumë specifike detyrash…(një shofer që kryente funksionet e vëzhgimit dhe një grup tjetër për të “sulmuar” shtëpitë.
Banda vepronte midis orës 8 të pasdites dhe 12 të natës, dhe mënyra e hyrjes në shtëpi ishte gjithmonë e njëjtë, ata hidheshin mbi gardhe apo mure dhe hynin e dilnin në një kohë të shkurtër, duke mos qëndruar më shumë se 5 minuta në shtëpi. Ata dyshohet se kanë përdorur pothuajse 30 automjete të ndryshme për të kryer të gjitha grabitjet.