Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në News24 ka komentuar procedurat për heqjen e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha për t’i hapur rrugën arrestimit të tij.
Kume u shpreh se mandati i deputetit që ka Berisha nuk do të preket deri në momentin që mund të ketë një vendim të formës së prerë nga drejtësia ndaj ish-kreut të qeverisë për akuzën që rëndon ndaj tij.
Sa i përket mundësisë që Berisha të vendosë selinë blu si adresa e tij e banimit, Kume theksoi se kjo është e mundur por gjithsesi gjykata do të vendosë përfaqësues të rendit dhe do të limitojë vizitorët për ish-kryeministrin.
Sakaq, ai shtoi se nëse do të ndodhë që Berisha të mbetet në arrest shtëpie deri në zgjedhjet e 2025-ës, atëherë ai ka të drejtë të plotë të garojë dhe të futet në listën e kandidatëve.
“Për mandatin e Berishës nuk pres të ndodhë gjë për sa kohë që nuk do të ketë një vendim të formës së prerë për akuzën që rëndon ndaj tij. Berisha do ta ketë mandatin e deputetit deri sa të merret një vendim i formës së prerë.
Nëse i hiqet mandati ai do të zëvendësohet me një nga emrat e listës së PD për qarkun e Tiranës.
Sa i përket arrestit të shtëpisë, në të gjitha rastet ndalimi në shtëpi ose në zyrën e kthyer në shtëpi, mbrapa ka përfaqësues të rendit që nuk lejojnë të dalësh dhe të hyjnë të tjerët tek ty.
Mbetet për t’u gjykuar nëse do t’i lejohet komunikimi përmes mediave ose në forma të ngjashme. Kur bëhet fjalë për një njeri si Berisha do duhet të ndërhyhet për t’u standardizuar ky veprim.
Supozojmë se procesi ndaj Berishës nuk përfundon deri në zgjedhjet e 2025-ës. Berisha në këtë situatë ka të drejtë të plotë të garojë dhe të futet në listën e kandidatëve edhe nëse është në arrest shtëpie. E drejta për të garuar varet vetëm nga vendimi i formës së prerë që do merret ndaj tij”, u shpreh ai.