Një dramë e vërtetë italiane u vë në jetë në “Maradona”, të paktën për tifozët e Napolit, të cilët u bënë dëshmitarë të një eliminimi historik. Për të gjetur një disfatë të tillë të Napolit, me katër gola diferencë, duhet të kthehemi 65 vite pas, një statistikë që e bën edhe më të hidhur eliminimin përballë Frosinones. Mazzarri pagoi shtrenjtë rotacionin thuajse të plotë që bëri në këtë sfidë. Frosinone qëndroi në lojë në pjesën e parë, fal portierit të tyre që priti gjithçka që i shkoi në kuadrat.
Në fraksionin e dytë, Mazzarri u përpoq të ndryshonte diçka duke hedhur në fushë “peshat e rënda”, mes tyre dyshen Osimhen-Kvara, por dy minuta më pas ishte Frosinone që kaloi në avantazh. Pesë minuta më pas, një gafë e Di Lorenzo-s solli dhe golin e dytë për miqtë. Me Napolin të hedhur përpara, në përpjekje për t’u rikthyer në lojë, Frosinone shënoi edhe dy gola të tjerë në shtesë duke kompletuar mrekullinë e tyre në Kupën e Italisë, kalojnë më tej në fazën çerekfinale duke eliminuar një nga ekipet favorite, për më tepër me një fitore me “poker” golash.
Blofi i Napolit në Kupën e Italisë pushtoi faqet e para të mediave italiane, ndërsa trajnerit Mazzarri nuk i mbetet gjë tjetër vetëm t’i kërkojë falje tifozëve: “Absurd është fakti që luajtën më mirë me lojtarët më pak të aktivizuar se sa kur u futën titullarët. Dua t’i kërkoj ndjesë tifozëve të cilët na ndihmuan deri në fund, më vjen keq për ta”, theksoi Mazzarri pas ndeshjes.
()