Norma bazë e interesit për lekun nuk do të ndryshojë. Banka e Shqipërisë vendosi ta mbajë atë në 3.25 për qind, nivel i vendosur në fillimin e muaji të shkuar.
“Megjithëse në rritje, norma e interesit vijon të jetë stimuluese për ekonominë. Këshilli mbikëqyrës gjykoi se trajektorja e kushteve monetare mbetet në linjë me kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti prej disa 3-mujorësh”, u shpreh Sejko.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, ndonëse me ritme më të ngadalta ekonomia do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit të ardhshëm. Parashikimet optimiste mbështeten edhe te “Plani i rritjes” së Bashkimit Europian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Do të stimulohen veçanërisht investimet e huaja direket dhe eksportet. Gjallërim pritet të ketë edhe konsumi”, tha më tej guvernatori i BSH-së.
Po ashtu Sejko tregoi edhe kartëmonedhat të cilat mund të këmbehen në banka deri më 31 dhjetor, ku tha se “Janë kartëmonedhat që shihni pas meje. Janë pa kurs ligjor prej vitesh. Me to nuk mund të blihet gjë.”
Banka Qendrore pret ndërkohë që vitin e ardhshëm në vend të futen edhe më shumë euro, duke ndikuar në zhvlerësimin më tej të kësaj të fundit.