Partizani është fitues i Superkupës së Shqipërisë, pasi mundi 1-0 Egnatian në “Air Albania”. Skuadra nga Rrogozhina u tregua e rrezikshme në minutën e 9-të. Gjithsesi, gjuajtja e sulmuesit Paulaskas nuk kishte shënjestrën e duhur. 5 minuta më vonë, Cara provoi të zgjidhë ndeshjen, goditja e tij u devijua nga prapavija. Egnatia ushtroi presion për të zhbllokuar llogaritë, pa ia dalë dot të konkretizojë rastet.
Në fundin e pjesës së parë, një gafë e rëndë e portierit Alen Sherri i kushtoi shumë skuadrës së Edlir Tetovës. Nga pasimi i gabuar i sherrit përfitoi Rrapaj, i cili e pati lojë fëmijësh të dërgonte topin në rrjetë. Në avantazh, Partizani u fut me shumë dëshirë në pjesën e dytë.
Në të 67-tën, Hadroj ndërhyn ndaj Spahiut dhe për arbitrin Enea Jorgji kishte penallti në favor të Egnatias vetëm pas një rishikimi VAR të rastit. Nga pika e bardhë u nis Fernando, panenka e të cilit u kuptua shumë mirë nga portieri Qirko, që i mohoi golin brazilianit.
Pavarësisht se kundërshtari u hodh i gjithi në sulm, të kuqtë mbrojtën me fanatizëm rezultatin. Për Partizanin ky është suksesi i 3-të në histori në Superkupë, pas atyre të viteve 2004 dhe 2019. Në krahun tjetër, debutuesit e Egnatias duhet të kënaqen me pjesëmarrjen.
(J.S/)