Në një analizë të detajuar të postimit të kryeministrit Edi Rama, media greke “To Vima” thekson se sipas kreut të qeverisë shqiptare, Fredi Beleri mbetet kryebashkiak i Himarës dhe se vetëm gjykata do të vendosë nëse do të marrë detyrën apo jo.
“To Vima” analizon 3 pikat e postimit të Ramës në rrjetin social X, duke theksuar se kryeministri shprehet se vetëm gjykata mund të lejojë betimin e Belerit si kryebashkiak i Himarës.
Mjaft media greke referohen në postimin e kryeministrit shqiptar gradualisht duke e konsideruar si një hap pozitiv në çështjen Beleri faktin që Rama i referohet Belerit si “kryebashkiak i zgjedhur”.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkroi se “pas leximit të vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për refuzimin e lejes së betimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës” ai e vlerëson të rëndësishme të evidentojë tre pika: “Mos lejimi i betimit në kushtet e paraburgimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është në fund të fundit një qëndrim ligjërisht korrekt. Po kështu, refuzimi i kërkesës nga Gjykata është i formuluar qartë dhe lehtësisht i kuptueshëm”.
Ai theksoi gjithashtu se Beleri mbetet kryetar i zgjedhur i Himarës deri në përfundimin e gjyqit dhe se vetëm vendimi zyrtar do të përcaktojë aftësinë e tij për të bërë betimin në rast të pafajësisë ose pamundësinë e tij për të vazhduar kryetar bashkie në rast fajësie.
Më tej, kryeministri thekson se “referenca gjyqësore për ngërçin e shkaktuar nga vazhdimi i përkohshëm i detyrave të kandidatit të mundur, ndërkohë që kryetari i zgjedhur mbetet në paraburgim dhe kryetari i mëparshëm nuk ka legjitimitet për të udhëhequr bashkinë në mungesë të fituesit, nënvizon qartë nevojën e zgjidhjes së këtij ngërçi përmes ndërprerjes së mandatit të kandidatit të mundur, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në Bashkinë e Himarës”.
Në fund të fundit, sipas Ramës, vendimi i arsyetuar i gjykatës është një konfirmim ligjor pa mëdyshje i “çështjes Beleri” si çështje drejtësie dhe jo politike apo në asnjë mënyrë e lidhur me pushtetin qendror. Gjithashtu, ai nënvizon se arsyetimi i këtij vendimi krijon një kusht pozitiv për përballimin e ngërçit të lartpërmendur.
Sipas “To Vima”, një burim vuri në dukje se arsyetimi i vendimit të sotëm të gjykatës shqiptare konfirmon se Beleri është zgjedhur kryetar i Bashkisë së Himarës dhe se kandidati i mundur Goro nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar bashkie.