Sot Kuvendi i Shqipërisë, me 75 vota të shumicës së majtë vendosi të pranojë kërkesën e prokurorëve të SPAK për heqjen e imunitetit të Berishës, duke i hapur rrugë arrestimit të tij, lidhur me akuzat për rolin e tij si ish-kryeministër në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Analisti Neritan Sejamini deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit”, në MCN TV, se kjo ishte e pritshme dhe se ka shumë dritëhije në vendimin e prokurorisë e të SPAK-ut, që nuk të lënë shijen e një lëvizjeje legjitime të drejtësisë. Sejamini u shpreh se ky veprim ka për të patur pasoja politike duke e destabilizuar edhe më shumë PD-në dhe do t’i japë më shumë revansh kryeministrit.
“Nuk besoj se Kuvendi i Shqipërisë do të vendoste ndryshe. Ka një vendosmëri që kësaj çështjeje do t’i vihen deri në fund, jo vetëm me heqjen e imunitetit, por edhe me atë se çfarë vendimi do të marrë gjykata, ndoshta me një arrest në shtëpi. Nga pikëpamja personale më duket një ngjarje tragjike dhe dramatike për karrierën e një njeriu që ka qenë një figurë e rëndësishme e tranzicionit shqiptar, me të mirat dhe të këqijat e veta, kontributet pozitive dhe negative. Do ma donte mendja dhe një farë mirëkuptimi që gjërat të mos vijnë në këtë pikë për udhëheqësit e një vendi. Shqipëria i ka tragjike ngjarjet në lidhje me udhëheqësit e vet dhe nuk është çështje vetëm e këtyre udhëheqësve, por edhe e shoqërisë sonë, mënyra se si i glorifikojmë dhe i përdhosim heronjtë dhe idhujt e rremë.
Nga pikëpamja e drejtësisë, do të ishte mirë që ky të perceptohej si vendim i drejtësisë së paanshme dhe të vërtetë. Fatkeqësisht, edhe për faktet që ne kemi diskutuar, për shumë dritëhije në vendimin e prokurorisë e të SPAK-ut, nuk më lë shijen e një lëvizjeje legjitime të drejtësisë. Kurse nga pikëpamja politike është një veprim që ka për të patur pasoja politike në afat të shkurtër, do ta destabilizojë edhe më shumë PD-në, do të kufizojë, do t’i japë më shumë revansh kryeministrit, pra është ngjarje që ka për ta patur pasoja politike”-tha ndër të tjera Sejamini.