Kthimi i vendit në një destinacion turistik, që nxiti konsumin në hotele, bare, restorante, transport e shumë industri mbështetëse, nuk duket se ka arritur të kompensojë rënien e qarkullimit nga vetë shtetasit shqiptarë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kanë lënë vendin, sidomos në vitin 2022.
INSTAT bëri të ditur në raportin e tremujorit të tretë për ecurinë e Prodhimit te Brendshëm Bruto (PBB) se konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,06%. Kjo është rritja më e dobët që nga periudha e pandemisë, kur konsumi ra për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia (shih grafikun).
Këtë vit Shqipëria pa një rritje të ndjeshme të turizmit, me turistët e huaj që i hasje në verë në çdo cep të vendit. Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit në vend hynë 4.9 milionë shtetas të huaj, ose gati 1 milionë (+27%), më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke kulmuar në gusht me 2 milionë hyrje. Fluksi i lartë i tyre solli gjallërim të aktivitetit të bar restoranteve, që po vuanin mungesën e klientëve vendas, sidomos të rinjve, rriti blerjet në supermarkete, nxiti qiradhënien e shtëpive, i dha hov transportit, sidomos makinave me qira.
Por, ndonëse në numër turistët kanë qenë më të shumtë, rritja e konsumit nuk duket të ketë qenë aq e lartë, teksa pjesa më e madhe e tyre nuk ishin shpenzues të mëdhenj, sipas operatorëve të tregut. Frekuentimet kanë qenë më tepër nga turistë me të ardhura mesatare e të ulëta, ku deri 70% e tyre janë turistë të aventurës, “me çanta shpine”, që priren të shpenzojnë pak.
Informaliteti i lartë në sektor vlerësohet një tjetër faktor që ka ndikuar në mosdeklarimin e aktivitetit real të turistëve.
Në kahun tjetër, Shqipëria po vuan vitet e fundit nga një fluks i lartë emigracioni, sidomos i të rinjve. Shumë njësi të tregtisë me pakicë kanë deklaruar shpesh për “Monitor” se kanë rënë blerjet e produkteve që konsumoheshin nga të rinjtë, si buka, sallamrat, sheqernat etj. Tendenca është e dukshme sidomos në qarqet veriore.
Në një zhvillim pozitiv, turizmi është zgjatur përtej sezonit tradicional dhe në nëntor në vend hynë rreth 500 mijë shtetas të huaj, apo në tetor, kur hyrjet pothuajse u dyfishuan.
Por, gjithsesi, në tremujorin e fundit të vitit efekti i turistëve në konsum ka qenë më i ulët, teksa operatorët e tregut pohojnë se tendenca e blerjeve është në rënie.
INSTAT bëri të ditur se ekonomia ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta edhe në tremujorin e tretë të vitit, me 3.46%, nga 3.38% që ishte rritja me bazë vjetore në tremujorin e dytë, duke mos arritur të përshpejtohet, pavarësisht sezonit mjaft të mbarë turistik. Konsumi i popullatës u rrit gjithashtu minimalisht me vetëm 2%, nga 4.18% në tremujorin e dytë./Monitor