Akademia “merr në provim” kërkuesit shkencorë, reagon Instituti i Historisë: Do të na pyes një akademik e një politikan

Instituti i Historisë ka reaguar pas vendimit të Akademisë së Shkencave, e cila do të vendosë në lupë të gjithë punonjësit shkencorë të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Në një reagim të bërë në Facebook, Instituti i Historisë shprehet ndër të tjera se “ky nuk është shqetësim vetëm për stafin tonë akademik, por shqetësim për shkencën, lirinë akademike dhe vetë vendin ku jetojmë”.

“Ndërkohë që qytetarët përgatiten për festat e fundvitit dhe shkëmbejnë urime e dhurata për Krishtlindjet e Vitin e Ri, studiuesit e Institutit të Historisë janë thirrur nga një komision i emëruar nga një autoritet tjetër, ku bëjnë pjesë një akademik dhe një politikan jo akademik.

Komisioni, siç thuhet në një njoftim urdhërues të ardhur, “do të bëjë vlerësimin dhe konfirmimin në pozicionet ekzistuese të punës” mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar dhe “nëse komisioni e sheh të nevojshme, në raste të veçanta mund të zhvillojë edhe intervista pune”.

Vlerësimi me procedurë ekstra ligjore i 18 kërkuesve shkencorë të Institutit të Historisë (1 kërkues me titullin “akademik”, 3 me titullin “Profesor”, 5 me titullin “Profesor i Asociuar” dhe 9 me titullin “Doktor” PHD), do të bëhet pikërisht për ditët zyrtare të pushimit (Krishtlindjeve, 23-25 dhjetor) dhe rezultatet do t’i përcillen një strukture më lart për vendimmarrje zyrtare një ditë më vonë. VKM 338/2023 mbylli albanologjinë, një VKM e re që ligjëron institutet si njësi të përhershme (të tilla kanë që prej formimit të tyre në vitet ’50 të shekullit të kaluar”, nuk është miratuar ende dhe në mungesë të bazës ligjore sugjerohen zgjidhje “deus ex machina”.

Në një shtet me demokrati funksionale dhe në një institucion shkencor ka ligje, rregulla dhe standarde për praktika të tilla. Shqipëria është ende demokraci e brishtë. Liria akademike dhe e kërkimit shkencor, përcaktuar në nenet 57-58 të Kushtetutës, janë ende koncepte edhe më të brishta. Ky nuk është shqetësim vetëm për stafin tonë akademik, – të vetmit në institucionet kërkimore në Shqipëri që kanë kualifikimin, përvojën dhe angazhim 100% në kërkimet historike, – por shqetësim për shkencën, lirinë akademike dhe vetë vendin ku jetojmë.

Duke ju kërkuar ndjesë për ndjesinë pesimiste të shënimit, le ta harrojmë për një çast shprehjen “gjithçka mund të ndodh, jetojmë në Tiranë” dhe në emër të Institutit të Historisë të ndajmë me ju urimet më të mira për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Familjet e shëndetshme, qytetarët e pavarur, shoqëria e informuar, botimet profesionale dhe shkenca si bartëse e ideve konkurruese e progresiste janë ajo që kemi nevojë në Tiranë, Prishtinë dhe kudo ku jetojmë’, thuhet në këtë reagim.

Arena e Lajmit

Akademia “merr në provim” kërkuesit shkencorë, reagon Instituti i Historisë: Do të na pyes një akademik e një politikan

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook