Gazment Demi, Presidenti i Partizanit i ka bërë një analizë ecurisë së skuadrës së kuqe në këtë vit që po lëmë pas. Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në faqen e klubit, Demi shprehet se ekipi luajti mirë në Europë, por duhej të ishte kualifikuar në grupe. Demi uron që kryeqytetasit të jenë të suksesshëm, në vitin që po vjen.
“Bëmë një mbyllje edhe pak me fat fituam kampionatin. Më kanë pëlqyer ndeshjet e Partizanit në Europë, por s’më pëlqeu rezultati. Duhej të ishim patjetër ne grupet e Europës, se Partizani gjithmonë bën investime për të ikur me lart, jo thjesht vetëm për kampionatin shqiptar.
Të shpresojmë që ky vit të jetë më i suksesshëm, besoj që po ecim në rrugën e duhur, me disa problematika të vogla. Shpresojmë që vitin tjetër të jetë më i suksesshëm edhe të kënaqemi të gjithë më shumë, sidomos tifozeria speciale e Partizanit që unë e uroj shumë, pavarësisht se duhet të jenë pak më shumë në stadium. Por prapë, hap pas hapi, ata do të vijnë, ndoshta me këtë formulën e kampionatit nuk është arritur ajo që duhet.
Siç e dinë të gjithë që Partizani është familje e madhe, po bëjmë investime serioze e të bukura dhe shpresojmë që Partizanin ta shohim aty ku kanë qejf të gjithë shqiptarët.
I uroj fat, mbarësi, gëzuar, por mbi të gjitha shëndet të gjithë familjes së madhe të Partizanit, me atë kritikën e vogël që duhet të jenë më shumë në stadium. I uroj gjithë të mirat dhe pastë Partizani fatin e tifozerisë së kuqe që të jetë gjithmonë shembullor në rezultate e të gjitha” – tha ai.
(J.S/)