824 djem dhe vajza iu nënshtruan testimit këtë të mërkurë për t’u pranuar në Policinë e Shtetit. Nga të gjithë aplikantët, vetëm 400 do të përzgjidhen. Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ndoqën nga afër testin e përgjithshëm me shkrim, të aplikantëve të rinj për t’u pranuar në kursin “Patrullë e Përgjithshme”.
Rrumbullaku shpjegoi se procesi monitorohet nga Drejtoria e Standardeve dhe AMP me një plan masash të veçanta. “Monitorohen të gjithë konkurrentët dhe verifikohen paraprakisht që të mos kenë pajisje elektronikë, celular etj, në sallën e testimit”, tha Rrumbullaku. Ky testim me shkrim zgjat rreth 2 orë dhe pyetjet janë përgatitur nga Ministria e Arsimit. Korrigjimi i testit për secilin nga kandidatët, do të bëhet elektronikisht, duke shmangur çdo mundësi ndikimi apo deformimi të rezultateve.
Drejtori Rrumbullaku sqaroi se pas përfundimit të këtij testimi me shkrim, kandidatët do të duhet të kalojnë edhe një sërë provimesh të tjera pasuese, që janë testimi fizik, intervista me gojë, testimi psikologjik, ai mjekësor dhe duke u mbyllur cikli me vlerësimin përfundimtar të besueshmërisë së personit, pra pranimit në Akademinë e Sigurisë.
Fituesit e këtij testimi të parë, do të afishohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, vetëm me kodet përkatëse të kandidatëve, pra jo me emra. Gjithë procesi i pranimit në Akademinë e Sigurisë, do të zgjasë rreth dy muaj dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, kandidatët e sotëm fitues, do të mund të fillojnë studimet për kursin “Patrullë e Përgjithshme”.