Shkëlzen Berisha ka mbërritur në Gjykatën e Posaçme për të dëshmuar në gjyqin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”.
Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha hyri në ambientet e Gjykatës rreth orës 08:50.
“Do të flas kur të dal nga gjykata”, tha ai, përpara se të futej në godinën e GJKKO-së, ku do të zhvillohet seanca e radhës për tragjedinë e Gërdecit.
Seancën e kaluar, Shkëlzen Berisha nuk ishte i pranishëm në seancë dhe sipas prokurorëve të SPAK ai nuk banonte në adresën e dhënë.
Por në reagimin e tij, djali i liderit demokrat theksoi se nuk kishte pasur njoftim për t’u paraqitur në SPAK.
Ai shtoi se kishte depozituar në SPAK, numrin e telefonit dhe adresën e saktë të banesës së tij.
“Në lidhje me disa raportime mediatike për “mos paraqitjen” time si dëshmitar në gjykatë, më duhet të sqaroj se në asnjë adresë timen fizike apo elektronike nuk ka mbërritur asnjë ftesë për t’u paraqitur për të dëshmuar!
Pretendimet e SPAK, që janë qartazi në funksion të qëllimeve politike e mediatike të Edi Ramës, bien poshtë, si nga njoftimet e mëparshme që janë ekzekutuar me sukses, ashtu dhe nga fakti që personalisht në dëshminë e dhëne para SPAK kam depozituar adresën e SAKTE si dhe numrin e telefonit!
Mbetem i hapur për t’u paraqitur sipas ligjit me të marrë ftesën!”, theksoi Shkëlzen Berisha.