Anëtari i kryesisë nga radhët e Rithemelimit, Gent Strazimiri, e konsideroi vendimin e Gjykatës së Lartë për vulën e Partisë Demokratike një hap gjysmë pozitiv. Në një lidhje për News 24, ai theksoi se tanimë është në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës që njeh Kuvendin e 11 dhjetorit dhe Sali Berishën kryetar të PD.
“Është një gjysmë hapi pozitiv. Tu them të drejtën, nuk e besoja. Pas skandalit të Gjykatës Kushtetuese, prisja gjithçka nga Gjykata e Lartë. Në fakt nuk ndodhi! Realisht edhe Gjykata e Lartë nuk ka kryer detyrën e saj. Situata legale me të cilën ndodhemi tani, është vendimi i Gjykatës së Tiranës që njeh Kuvendin e Partisë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha nuk e çuan dëmin deri në fund”, theksoi ai.
Duke folur për protestën e sotme, Strazimiri dha këtë koment: “Ishte një protestë simbol për t’i treguar se cilido që zgjat dorën duke deformuar drejtësinë përmes gjykatave që po sillen politikisht të mos guxojë se ne jemi aty dhe jemi në këmbë. Sulmet e pushtetit të jeni të bindur se vetëm na forcojmë”.