Analisti Dritan Hila i ftuar në studion e “Open” në News24 ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u shprehur se opozita po demoralizon elektoratin e saj duke u ankuar për vjedhjen e votës, e cila sipas tij nuk vendos rezultatin zgjedhor.
Ai vijoi kritikat e tij ndaj opozitës duke thënë se këta të fundit nuk kanë grup parlamentar dhe se janë futur në një sherr ligjor nga i cili nuk dinë si do të dalin.
Megjithatë ai shtoi se kryeministri Rama “ashtu si çdo udhëheqës” kur e sheh opozitën “copë copë i fut një të lidhur këmbëve”.
Sipas tij Rama nuk ka një qeverisje autoritare, por një qeveri të shthurur, ku sipas tij duke dashur të zbulojë talente, vendos “lloj lloj njerëzish në ministri”.
“Gjithmonë thonë na vodhën zgjedhjet. Në 2013-ën ikët më 1 milionë vota, gjë që tregon se Edi Rama e ka shumicën e elektoratit. Duke thënë kështu vetëm demoralizojnë elektoratin e vetë që thotë më pas këta janë derdimenë dhe u marrin bukën nga goja duke u vjedhur votën.
A ka fenomene, po, a ndryshojnë rezultatin zgjedhor, jo. Ka gjëra të tilla në zona të thella, por jo në mes të Tiranës, Kavajës apo Shkodrës. OSBE me këto merret, si do e justifikojë bukën e gojës. Tani po vazhdon me punën e vetë. A gjenden shkelje, po gjithmonë gjenden shkelje edhe në SHBA. Vullneti i zgjedhësve megjithatë nuk ndryshon.
Po vazhduan me McGonigal-in që e kanë mbyllur amerikanët, le të vazhdojnë. Këta nuk kanë grup parlamentar, nuk duan të marrin emër. E kanë futur veten në një sherr ligjor që nuk dinë si do dalin. A ka faj Rama, ka patjetër. Kush është ai që sheh opozitën e vetë dhe nuk i fut dhe një të lidhur këmbëve. Çdo lider e bën. A është vend autoritar, them të mos nxitohemi. Janë plaçkë tjetër Putini e Erdogani.
Nëse ka patur një shtet autoritar, ka qenë ai që vrau 4 vetë në bulevard. T’i thuash autoritar Ramës, për veten time, do thosha që Rama ka një qeveri të shthurur, duke dashur të zbulojë talente, vë çdo lloj njerëzish, siç ka atë të Rinisë që gjithmonë lëshon mufka. Këtë bën Rama”, u shpreh ai.