Interi barazoi 1-1 ndaj Genoa, duke dështuar kështu të marrë 3 pikët. Tifozët e skuadrës vendase krijuan një atmosferë elektrizuese në shkallët e stadiumit, teksa pas vetëm çerek ore lojë, tymi “mbuloi” fushën, çka bëri që gjyqtari Doveri të ndërpresë përkohësisht takimin.
Goli i parë i sfidës erdhi pas 41 minutash lojë. Një gjuajtje e Barella u prit nga Martinez, por nga fare pranë portës, Arnautovic e pati lojë fëmijësh të dërgojë topin në rrjetë.
Në shtesën e fraksionit të parë, një krosim i Albert Gudmundsson nga goditja e këndit, u shfrytëzua më së miri nga rumuni Dragusin, i cili u hodh mbi të gjithë, për të ndëshkuar Yan Sommer.
Arbitri dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes pas 9 minutash shtesë, me ekipet që u futën më pas në fushë për të dhuruar emocione të tjera në pjesën e dytë.
Gjithsesi, 45 minutat e dyta nuk prodhuan gol, me trajnerët që shtrënguan duart në fund.