Cristiano Ronaldo e ka mbyllur vitin 2023 në mënyrën më të mirë të mundshme. Sulmuesi portugez ishte sërish protagonist për ekipin e tij Al Nassr në Arabinë Saudite, që fitoi 4-1 në transfertë ndaj Al Tawoon, duke shënuar golin e katërt me kokë.
Ky ishte goli i 54-t për këtë vit kalendarik, duke lënë pas gjithë yjet e tjerë të futbollit, përfshirë Mbappe, Kane dhe Haaland, të cilët i kaluan kuotën e 50 golave. Jo vetëm kaq, Ronaldo kryeson edhe listën e shënuesve ne kampionatin arab me 20 gola, tre më shumë se ndjekësi më i afërt.
Ndonëse në një ligë inferiore krahasuar me ato evropiane, portugezi vijon të tregojë se mosha për të nuk ka rëndësi, teksa goli i fundit ishte i 873-i si profesionist, askush si ai në historinë e futbollit.
Në moshën 38 vjeçare, Cristiano po tregon edhe njëherë tjetër se mbetet po ai vrastar i portave kundërshtare, me synimin për të qenë sa më në formë për Euro2024 me Portugalinë, që ndoshta mund të jetë eventi i fundit i madh për të me kombëtaren.
()