Në mënyrë që festat e fundvitit të jenë momente gëzimi pranë familjes, nuk mjaftojnë vetëm gatimet e shijshme, por një rol të rëndësishëm ka edhe dekorimi i tavolinës.
Mund të jesh edhe natyrë minimaliste, por në tavolinën Vitit të Ri ia vlen që të vendosësh të gjitha sendet dekorative që ke ruajtur në shtëpi nga tradita e familjes.
Enë porcelani, gota kristali, enë argjendi të vjetruara apo të reja.
Hijeshi dhe harmoni ngjyrash
Ngjyra e mbulesës së tavolinës varet gjithmonë nga shija personale, por nëse do vërtet të tregosh atmosferë festash, atëherë mbulesën duhet ta zgjedhësh të kuqe.
Viti i Ri nuk ka vetëm ngjyrën e kuqe dhe atë të florinjtë. Do të krijosh efekte elegante? Përdor një mbulesë të veçantë që ta mbulojë tryezën deri në fund, mundësisht të jetë antike. Një komplet pecetash shumëngjyrëshe, mbajtëse qirinjsh me fron të lartë.
Nëse në drekat apo darkat e festave ka edhe fëmijë, ata hutohen gjithmonë nga ngjyrat e pjatave apo gotave. Megjithatë, ki kujdes që tryeza të mos ketë më shumë se 3-4 ngjyra.
Mbush tryezën me lule
Me lulet, gjithmonë mund të ndërtosh çdo lloj dekori. Mund të realizosh një dekor që të zhvillohet përgjatë gjithë gjatësisë së tryezës, duke alternuar me vazo të llojeve të ndryshme.
Baza janë gjethet jeshile. Ndonëse dimri ofron shumëllojshmëri lulesh, e mira është të qëndrosh brenda pak ngjyrave që janë në harmoni edhe me ngjyrat e shtëpisë. Përdor trëndafila, por edhe tulipanë sipas shijes dhe ngjyrave që dëshiron.
Mos harro qirinjtë
Qirinjtë nuk duhet të mungojnë në një tryezë feste, aq më tepër në Krishtlindje.
Drita e qirinjve e bën gjithnjë atmosferën më të ngrohtë e të bukur. E mira është që qirinjtë t’i zgjedhësh në një ngjyrë, duke i përshtatur edhe me pjesën tjetër të dekorit të shtëpisë. Përdor qirinjtë e vegjël, brenda në gotë, ose në mbajtëse argjendi.