Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku kujton shpresën që i dhuronte festa gjatë natës së ndërrimit të viteve në kohën e fëmijërisë së saj.
Ndërsa ndalet në kohën në të cilën Shqipëria po jeton, Tabaku thotë se në rrugëtimin e ri të 2024-ës duhet menduar se si të ndërtohet një vend më i mirë.
Sipas deputetes, qeveria shqiptare e ka humbur kompasin e saj moral, ndaj duhet vlerësuar një alternativë më e përgjegjshme.
Në vidomesazhin për qytetarët, Tabaku thotë se ky vit që vjen duhet të jetë një kapitull i ri për Shqipërinë ndaj duhet punuar për ndryshim.
Mesazhi i Tabakut:
Ndërsa jemi pranë orëve të fundit të ndërrimit të viteve, më kujtohet jo pak fëmijërinë time dhe se si kjo festë kthehej në një pikë të vogël shprese në errësirën e madhe të vitit. Në një shpresë që lidh familje dhe krijon një komunitet që ashtu i fortë qëndron me shpirtin e mbushur me shpresë dhe me forcën se mund të ndryshojmë për mirë. Se e nesërmja do jetë ndryshe.
Në këto kohë të vështira dhe sfiduese, teksa vendi jonë ndodhet në një kryqëzim të pakërkuar, teksa shpreson për ndryshimin edhe reformat e shumëkërkuara që në fakt do të ishin një riangazhim për vlerat tona demokratike. Ato vlera që nuk janë thjesht ideale politike; por janë themeli mbi të cilat ne mund të ngremë një të ardhme që realisht jehon ëndrrat dhe aspiratat e çdo shqiptari.
Ndërsa nisim këtë rrugëtim të ri në vitin 2024, na duhet të kemi në mendje se si mund të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë dhe të ndërtojmë Europën këtu se si mundet të ndryshojmë.
Për një të ardhme të tillë ne patjetër duhet të bashkohemi rreth personave që mbartin mbi vete vlera. Rreth personave që mund të sjellin diçka tjetër të re. Ne duhet të shohim përpara dhe t’u ofrojmë shqiptarëve një të ardhme që nuk ka hijet e të shkuarës. Ne duhet të angazhohemi për të ofruar më të mirën. Të kalojmë edhe mbi veten tonë dhe të shohim ç’mund të bëjmë më mirë, më ndryshe.
Sot të gjithë janë të shqetësuar për ekonominë e vogël familjare që është një prej shumë gurëve që rëndojnë dhe ekonominë e madhe. Janë të shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve, për arsimin dhe largimin e të rinjve. Shqetësime komplet normale por që duhet të jenë shtysa për të ofruar atë një zgjidhje reale për atë që deri më sot ka dështuar dhe që ne duhet ta ndryshojmë.
Përtej sfidave personale që gjithsekush ka përballë vetes në vitin e ri, padyshim ajo që prek zemrat tona është vendi se ku do të jetë Shqipëria në ditët e vitit të ri që është tek dera. Sfidat e një vendi që lëngon nga korrupsioni, një ekonomi që nuk favorizon shumicën dhe një qeverie që i shërben një pakice.
Janë këto sfida që përballë nesh ofrojnë një betejë për të ndërtuar një ekonomi ku tregu i lirë është oferta dhe mundësia çdo shqiptari përballë monopoleve, taksimit të pandershëm dhe shtetit të kapur që janë kryefjala e sotme fatkeqësisht. Në të vërtetë modeli zhvillimit dhe ndërtimit të shtetit këto dhjetë vite duhet të jetë një relike e të shkuarës, një Shqipëri e zhvilluar mund të arrihet përmes meritokracisë, sipërmarrjes së lirë dhe mobilitetit social.
Nëse sot shumëkush sheh rënien e të ardhurave, më pak para në xhep dhe largimin e shqiptarëve kjo vjen si pasojë e gabimeve të një dekade qeverisje. Prandaj ne duhet dhe do të ofrojmë një alternativë të një qeverisje të përgjegjshme dhe një model biznesi që vlerëson konkurrencën, meritokracinë dhe mobilitetin social.
Teksa i afrohemi vitit të ri, e kuptojmë qartësisht se kjo qeverisje e ka humbur kompasin e saj moral. Kështu që na lind detyra të punojmë së bashku që në 2024 të nisë një ndryshim që së pari është një mundësi për një kapitull të ri për Shqipërinë.
Së bashku, mund të shkruajmë një histori tjetër, një histori shprese dhe bashkimi së pari për ne si demokratë dhe familjen tonë politike e më pas për një vend më të mirë.
Gëzuar e qoftë viti i Shqipërisë