52-vjeçarja italiane me iniciale A.C., e cila dyshohet se u plagos me një plumb qorr gjatë festimeve në Tiranë, më në fund do të transportohet për në Itali.
Mediat italiane raportojnë se ajo mund të fluturojë nesër për në Bari me një helikopter mjekësor nga Foggia.
Lajmi është konfirmuar nga presidenti i rajonit të Pulias, Michele Emilano.
52-vjeçarja është pyetur në Spitalin e Traumës këtë të mërkurë nga hetuesit, pas mundësisë për të dhënë deklarime mbi gjithçka kishte ndodhur.
Ajo ka deklaruar se po ecte me bashkëshortin në bulevard në momentin që diçka ka rënë nga pemët lart, duke e goditur në qafë. Më vonë rezultoi se bëhet fjalë për plumb qorr.
Grupi hetimor deri në këtë fazë akoma nuk e ka të qartë nga ka ardhur plumbi. Janë sekuestruar të gjitha pamjet e kamerave rreth e përqark zonës por akoma nuk është konstatuar ndonjë gjë e dyshimtë. Italiania 52-vjeçare kishte ardhur në Tiranë për të kaluar festat e fundvitit.
“Plumbi duhet nxjerrë. Por mjekët shqiptarë deklaruan se nuk mund të ndërhyjnë, prandaj është e nevojshme që ajo të dërgohet në Itali,” tha avokati i italianes.
Mjekët shqiptarë nuk kanë lejuar transportin me traget të saj, duke thënë se rreziku është shumë i madh. Sipas tyre, transporti duhet kryer me avion ose helikopter.
Për këtë transport janë të nevojshme 15 mijë euro, prandaj avokati kërkoi ndihmë më herët.