Një ngjarje e rëndë është parandaluar në qytetin e Sarandës, ku 4 persona kishin bërë gati planin për rrëmbimin e një 49-vjeçari.
Sipas policisë, ditën e djeshme në rrugën “Skënderbeu”, në lagjen nr.1, pas administrimit të informacionit, kanë ndërhyrë menjëherë duke ndaluar automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin A. T. dhe pasagjerë shtetasit Juljan Brinja, 28 vjeç nga Borshi, dhe S. B. (vëllezër) dhe Gj. P.
Gjatë kontrollit në automjet, në vendin e pasagjerit ku qëndronte shtetasi Juljan Brinja, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe lidhëse plastike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit Juljan Brinja, 28 vjeç, S. B., 27 vjeç, A. T., 20 vjeç dhe Gj. P., 29 vjeç, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Këta shtetas dyshohet se në kërcënimin e armës do të rrëmbenin një shtetas 49 vjeç, banues në Sarandë, për motive të dobëta.