Ndonjëherë realiteti mund ta kapërcejë fantazinë dhe shembulli më i mirë për këtë është rasti i të resë amerikane, Gypsy Rose. Gypsy u bë e njohur në vitin 2015 pasi bindi të dashurin për të vrarë nënën e saj, Claudine Dee Dee Blanchard, e cila vuante nga sindroma e Munchausen. Kjo gjë bëri që ajo të burgosej në atë kohë. Sot, pas tetë vitesh burg, ajo është e lirë dhe është kthyer në një yll në platformën TikTok, ku numëron 6.5 milionë ndjekës.
“Më në fund jam e lirë. Thjesht dua të dërgoj një video të shpejtë për t’i falënderuar të gjithë për mbështetjen e madhe që kam marrë në mediat sociale. Të gjithë kanë qenë kaq të sjellshëm dhe mbështetës,” tha Rose në një video të TikTok.
Gypsy Rose ishte abuzuar nga e ëma që në moshë të vogël. Nëna e saj e detyroi të pretendonte se vuante nga sëmundje të ndryshme për të fituar para prej saj.
Rose filloi ta besonte sëmundjen, pasi e ëma ishte figura e autoritetit në mjedisin e saj. Ndërsa Rose rritej, abuzimi bëhej gjithnjë e më i rëndë, kështu që ajo vendosi të bindte të dashurin e saj të atëhershëm që ta hiqte qafe. Ky i fundit vuan ende dënimin me burg.
“Doja të çlirohesha nga kontrolli i saj. E binda ta vriste”, pranoi ajo.
Pas kohës së saj në burg, Rose është martuar me një burrë që e ka njohur gjatë kohës që ishte pas hekurave. Ajo ka botuar edhe një libër ku tregon historinë e saj, gjë që ka rritur shumë famën, si dhe ndjekjen e saj në internet.
“Nuk do të them kurrë se jam krenare për atë që kam bërë. Pendohem çdo ditë”, tha ajo pas lirimit nga burgu.