Teksa mbështetësit e tij janë mbledhur poshtë banesës, ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie, i ka përshëndetur nga dritarja, nga ku ka mbajtur dhe një fjalim.
Berisha ka folur për të rinjtë, për të cilët thotë se janë larguar nga vendi për shkak të Edi Ramës. Ndër të tjera ai thotë se i vijnë mesazhe nga të rinjtë të tipit “Sali, ti je shpresa”, por ish kryeministri thotë se e kanë gabim duke thënë se ata janë heronjtë, ndërsa e cilëson veten si sinjali në filmin Batman që fton heronjtë nga qielli.
“Dëgjoj dhe më shkruajnë se ti je Sali je shpresa. E vërteta është tjetër. E vërteta është se për të rinjtë, unë nuk jam heroi i tyre, por jam thjesht si sinjali në filmin Batman që fton heronjtë nga qielli”, -tha ndër të tjera Berisha.
Fjala e plotë e Berishës:
Çdo i ri shqiptar ka të drejtë të mendojë, të ëndërrojë, që Tirana të jetë foleja e të ardhmes së tij. Por sa mund ta ëndërrojnë sot të rinjtë shqiptarë? Për të ardhur në Tiranë, ai duhet të shkollohet. Edi Rama ka vendosur mesataren si satër për të mbyllur dyert për universitetet për më të varfrit e këtij vendi.
Sa mund të ndërtojë folenë e të ardhmes në Shqipëri të rinjtë shqiptarë, kur në universitetet e Tiranës, ata paguajnë një tarifë ndër më të lartat në Europë. Ata paguajnë një tarifë 5 herë më të lartë se në Austri. 5 herë më të lartë se në Francë, Itali, Gjermani. Si mund të jetë Tirana vendi i ëndrrave të të rinjve shqiptarë, kur qiratë në këtë kryeqytet, falë drogës dhe korrupsionit, janë nga më të lartat në Europë?
Si mund të jetë ky qytet i ëndrrave të të rinjve, kur ata duhet të punojnë 60 vite për të blerë një apartament?
Për të gjitha këto, agresioni i narkoshtetit, i narkodiktaturës, i kësaj bande me në krye Edi Ramën, që vjedh çdo ditë shqiptarët, ka bërë që Shqipëria të boshatiset nga të rinjtë. Ka bërë që në 8 vite, nga ky vend të largohen mbi 500 mijë të rinj. Ka bërë që të rinjtë shqiptarë të mos i lidhë asgjë tjetër me Shqipërinë përveç prindërve, të cilët me gjithë mallin, me gjithë brengën, bëjnë zemrën gur dhe u thonë shko vajzë, shko djalë, ndiq jetën tënde se e dinë se nuk kanë çfarë t’u sigurojnë në shtëpinë e tyre.
Ndaj dhe kjo betejë para së gjithash është një betejë për rininë.
Dëgjoj dhe më shkruajnë se ti je Sali je shpresa. E vërteta është tjetër. E vërteta është se për të rinjtë, unë nuk jam heroi i tyre, por jam thjesht si sinjali në filmin Batman që fton heronjtë nga qielli. Dhe unë, kam bindjen se ata heronj janë djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, janë ata të cilët të angazhuar në këtë betejë vendimtare, të angazhuar në këtë betejë për shpresën, për të ardhmen, do t’i japin kthesën, do të bëjnë që kjo erë kthese dhe shprese të fryjë në mbarë Shqipërinë dhe opozita, demokracia të rivendoset përsëri.
Ju ftoj ta mbyllim këtë takim me brohorimën tonë: Zoti i bekoftë të rinjtë shqiptarë, familjet e tyre, Zoti e bekoftë Shqipërinë. Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria!