Dhuna brutale ndaj tre shqiptarëve në Mal të Zi, reagon Policia e Shtetit

Dhuna brutale ndaj tre shqiptarëve në Mal të Zi, reagon Policia e

Policia e Shtetit ka dalë me një reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen në Mal të Zi, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në mënyre brutale nga disa persona.

Policia ka sqaruar dinamikën e ngjarjes, ndërsa bën me dije se Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

“Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Reagimi i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, ku janë dhunuar tre shtetas shqiptarë, nga disa shtetas të panjohur, sqarojmë se:

Sapo kanë marrë dijeni për këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Drejtori i Departamentit për  Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Policinë e Shtetit, kanë komunikuar menjëherë me homologët në Malin e Zi, për t’u njohur me rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për t’iu ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur  me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.

Të tre shtetasit shqiptarë janë  paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë  trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.

Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Dhuna brutale ndaj tre shqiptarëve në Mal të Zi, reagon Policia e Shtetit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook