Për të gjithë besimtarët ortodoks data 6 janar përkon me një festë të rëndësishme si ajo e ujit të bekuar. Për besimtarët dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë.
Sot të gjitha ujërat që rrjedhin janë të bekuar nga Zoti dhe të gjithë nxitojnë të mbushin ujë dhe ta ruajnë atë për gati një vit në shtëpi për të ardhur sërish 6 janari i vitit pasardhës. Në këtë festë të rëndësishme kryhet edhe ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë ku ka qindra të interesuar edhe pse temperaturat nuk janë të favorshme. Hedhja e kryqit në ujë u zhvillua në qytete të ndryshme si në Korçë, Fier e Gjirokastër.
Kryqin në Korçë e ka nxjerrë nga uji 25-vjeçari, Ronaldo Kovaçi ndërsa në Fier ka qenë 30-vjeçari, Dhimitër Kapaj ai që ka kapur kryqin. Ndërsa në Gjirokastër si fillim është mbajtur mesha në kishë e më pas qytetarët u drejtuan drejt lumit Drino ku kryqin e kapi 13-vjeçari, Mojsi Mërkuri.