Detaje të reja dalin në dritë nga vetëvrasja e 41-vjeçares, Bedrie Loka, e cila i dha fund jetës katër ditë më parë në banesën e saj në Ishëm të Durrësit.
Nga hetimet ka rezultuar se 41-vjeçarja u vetëhelmua me fostoksinë pas dhunës së vazhdueshme psikologjike të bashkëshortit të saj, Xhemal Loka.
Ky i fundit dyshohet se pasi kthimit nga Greqia, ku ishte emigrant, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten me thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Njoftimi i policisë:
Durrës/ Vihet në pranga bashkëshorti i 41-vjeçares që humbi jetën 4 ditë më parë, si pasojë e konsumimit të fotoksinës.
Nga hetimet e thelluara rezultoi se 45-vjeçari ka dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme, bashkëshorten e tij.
45-vjeçari, kur ishte kthyer nga Greqia, e kishte kërcënuar për ta vrarë bashkëshorten, me mjet prerës thikë, në prezencë të njërit prej fëmijëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për zbardhjen e shkakut të konsumimit të lëndës helmuese nga 41-vjeçarja B. L., e cila më pas humbi jetën, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan shtetasin Xh. L., 45 vjeç, i cili përkohësisht jetonte në Greqi, për shkak të punës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi Xh. L., 45 vjeç, kishte dhunuar psikologjikisht në mënyrë të vazhdueshme bashkëshorten e tij, shtetasen B. L.
Gjithashtu, nga hetimet e thelluara rezultoi se më datë 27.12.2023, shtetasi Xh. L. e ka kërcënuar bashkëshorten me mjet prerës (thikë), për të vrarë, në prezencë të njërit prej fëmijëve. Për këtë rast, shtetasja B. L. nuk ka bërë kallëzim në Polici.
Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin e banesës së 45-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi 1 armë zjarri automatik tip “Sharrs”, një krehër dhe një sasi municioni luftarak.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë sekuestruar celularin e shtetasit XH. L., i cili e kishte fshehur atë, dhe nuk ka bashkëpunuar me Policinë.
Ky celular, bashkë me celularin e shtetases B. L., janë dërguar për ekspertimin me qëllim gjetjen e provave për dokumentimin e rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Po në vijim të veprimeve të thelluara janë kryer një sërë veprimesh të tjera procedurale me qëllim dokumentimin e plotë të shkakut që detyroi shtetasen B. L., të konsumonte lëndë helmuese.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë veprimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të shkakut që detyroi 41-vjeçaren të konsumonte lëndë helmuese, nga e cila për pasojë humbi jetën.
Gjithashtu, nga strukturat e specializuara për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryehen veprime hetimore intensive për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorin/en e keqpërdorimit të të dhënave të shtetases B. L., në rrjetin social “Tik Tok”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.