Bedrie dhe Xhemal Loka
Zbardhet dëshmia e Xhemal Lokës, bashkëshortit të 41-vjeçares, Bedrie Loka, e cila i dha fund jetës duke pirë fostoksinë pak ditë më parë në Durrës.
Xhemal Loka ka mohuar akuzat para efektivëve të policisë se ka qenë ai shkaktar që ka çuar 41-vjeçaren drejt vetëvrasjes.
Ai u shpreh se madje ka tentuar ta shpëtojë bashkëshorten duke e dërguar menjëherë në spital, ndërsa thekson se ngjarja ka ndodhur për shkak të postimeve denigruese që bëheshin në drejtim të të ndjerës në një faqe të rrjetit social ‘TikTok’.
“Nuk e kam dhunuar gruan. Bashkëshorten e kisha për shtëpi, nuk e çova drejt vetëvrasjes. Vetëvrasja e saj erdhi si pasojë e postimeve të TikTok-ut. Kemi pasur konflikte si çdo familje, por gruan e doja. E kam dashur si nënën e fëmijëve të mi. Në mëngjes kam parë që kishte pirë helm dhe e kam çuar me shpejtësi drejt spitalit të Durrësit për ta shpëtuar. Gruan time e dua dhe nuk e kam dhunuar. Kam shpresuar deri në momentin e fundit që ajo të bëhet mirë. Kemi qenë të martuar për 23 vite”, ka deklaruar Xhemal Loka, bashkëshorti i 41-vjeçares, e cila i dha fund jetës duke pirë fostoksinë.
Ndërkohë dëshmia e tij bie ndesh me deklarimet e djalit të madh të çiftit, i cili tha para oficerëve të policisë gjyqësore se babai e dhunonte nënën fizikisht dhe psikologjikisht gjithë kohës, dhe se e ofendonte atë me fjalët më të rënda.
“Babai në mënyrë sistematike ka dhunuar nënën fizikisht dhe psikologjikisht. Babai e ofendonte nënën me fjalët më të rënda të mundshme”. Sipas tij ofendimet e babait ishin shumë të rënda për nënën.
Një deklaratë e tillë është dhënë edhe nga vajza e çiftit.
“Babai dhunonte dhe shantazhonte vazhdimisht nënën”, mësohet të jetë shprehur e bija e viktimës para grupit hetimor.
News24 raportoi se nëna i kishte treguar të bijës më 2 janar në lidhje me sherrin që kishte me babain e saj. Ndërkohë që gjatë këqyrjes së telefonit të 45-vjeçarit, të cilat ia kishte dhënë për t’i fshehur motrës së tij, janë zbuluar mesazhe kërcënuese dhe video që ai i kishte dërguar gruas së tij të ndjerë. Ndërkohë, ekspertët e IT po zbulojnë se kush e hapi adresën e TikTok.
Xhemal Loka, 45-vjeç, ka qenë i dënuar për drogë në Francë, më pas është dëbuar nga ky shtet dhe ka emigruar ilegalisht në Greqi. Aktualisht Loka ndodhet pas hekurave, pasi akuzohet se ka çuar drejt vetëvrasjes gruan e tij, ndërsa në banesë i është gjetur edhe arsenal armësh.