Më shqiponjën në duar, më në fund, Armando Broja rikthehet të festojë, rikthehet të shënojë, këtë e bëri në FA Cup, në sfidën kundër Preston. Sulmuesi kuqezi zhvilloi një paraqitje fantastike, për sa kohë ishte në fushë, jo vetëm goli i shënuar, por goditi shtyllën dhe ishte një rrezik konstant me topin në këmbë. Pochettino beson shume te talenti shqiptar, këtë periudhë i ka dhënë minuta të rëndësishme, ndërsa pas sfidës në Kupë foli me fjalë të mëdha:
“Mendoj se do të ishte fantastike që t’i rritej vetëbesimi pas këtij goli. Armando duhet të buzëqeshë, duhet të jetë pozitiv dhe të ndryshojë gjuhën e trupit. Ai ka potencial të mahnitshëm, po flasim për një sulmues të ri këtu në Angli apo Evropë, një nga ata me më shumë potencial”, u shpreh ndër të tjera Pochettino.
Me paraqitjen e shfaqur kundër Preston, Broja pritet të ketë edhe më shumë minuta, kjo pasi Xhekson është larguar për në Kupën e Afrikës, ndërsa Nkunku është i dëmtuar. Nuk e fshehu gëzimin për golin dhe paraqitjen e bërë as Broja: “Të gjithë presin të shënosh në çdo ndeshje, presion është i madh. Nuk është e lehtë të mos shënosh…Tentoj t’i lë pas ditët e këqija, mundohem të shikoj përpara për ato të mirat. Jam shumë i emocionuar dhe i lumtur. Shpresoj të shënoj të tjerë gola”, u shpreh Broja.
()