Të dielën ndërroi jetë legjenda Franz Beckenbauer, pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Aleksander Ceferin, Presidenti i UEFA, shprehet se “ikona” gjermane ishte ai që ndryshoi futbollin, falë aftësive që kishte. Në shkrimin e tij, numri një i qeverisë europiane të futbollit, vendos theksin te cilësitë e tij të padiskutueshme dhe te trashëgimia e madhe që Beckenbauer lë.
‘’Bota e futbollit mban zi për humbjen e Kaiserit legjendar. Shkathtësia e tij e pashembullt, tranzicionet e këndshme midis mbrojtjes dhe mesfushës, kontrolli i topit dhe stili vizionar riformësuan mënyrën se si luhej futbolli në epokën e tij.
Cilësitë e tij drejtuese shkëlqenin pasi ai ishte kapiten i ekipit kombëtar dhe Bayern München gjatë periudhave të tyre më të suksesshme dhe vazhdoi të shkëlqejë në karrierën e tij si trajner. Trashëgimia e Beckenbauer si një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave të futbollit është e padiskutueshme. Lamtumirë një legjende të vërtetë”, ka shkruar Ceferin.
(J.S/)