Manchester United ka triumfuar 0-2 ndaj Wigan, duke kaluar kështu fazën e 1/32 të FA Cup. “Djajtë e kuq” zhvilluan një pjesë të parë shumë pozitive, teksa goditën jo pak por 7 herë portën e kundërshtarit. Në minutën e 22-të, një gjuajtje e bukur si në Play-Station e Dalot ishte e pamundur për t’u arritur nga portieri Tickle.
Në fundin e fraksionit, Scott McTominay provoi të dyfishonte shifrat, pa rezultat. Në pjesën e dytë, djemtë e Ten Hag qarkulluan topin dhe insistuan për golin e sigurisë.
“Gardiani” Tickle i hoqi një top të rrezikshëm Kobbie Mainoo-t në minutën e 62-të, duke u treguar kështu shumë më i shpejtë se futbollisti i United. Edhe të besuarit e Shaun Maloney provuan të “ngacmonin” rivalin me aksione sporadike, por vetëm kaq. Bruno Fernandes shndërroi në gol një penallti në të 74-tën, duke i dhënë kështu skuadrës qetësinë e duhur, për te arritur te kualifikimi.
(J.S/)