“Të fundit në Europë për të ardhurat për frymë”, deputetja e PL: Marrja e masave që lehtësojnë ekonomikisht shqiptarët, emergjencë!

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka deklaruar se është emergjente marrja e masave që do të lehtësonin barrën ekonomike të çdo familjeje shqiptare, ndërsa ka nënvizuar se sipas Eurostat, vendi ynë renditet i fundit në Europë për të ardhurat për frymë.

Ajo shtoi se rritja e çmimeve e ka dyfishuar koston e jetesës, ku 31% e ekonomisë familjare shkon vetëm për ushqim.

“Shqiptarët sot kanë nevojë për mbështetje, mbështetje, mbështetje dhe jo propagandë”, tha ajo.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë !

Lamë pas një vit gjatë të cilit ekonomia e shqiptarëve u përkeqësua dhe hymë në një tjetër, ku shpresat për ringritje janë pothuajse zero.

Mirëqenia e shqiptarëve nuk u rrit përgjatë vitit 2023 për shkak të një qeverie që mbushi arkën nga taksat më të larta në rajon, që rëndojnë fort mbi shpatullat e secilit shtetas, dhe për shkak të rritjes së çmimeve,

Të dhënat e Eurostat na renditën sërish të fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse.

E pamë këtë gjatë fundvitit, kur me mijëra familje nuk arritën dot t’i gëzohen tryezës së festës.

Qeveria u tall me pensionistët me një bonus qesharak, ndërsa kategoritë në nevojë nuk u përfillën fare.

Nuk pati asnjë paketë mbështetëse as gjatë vitit, ndërsa kriza e çmimeve rrënoi ekonominë familjare të mijëra shqiptarëve.

Rritja e çmimeve e ka dyfishuar koston e jetesës, 31% e ekonomisë familjare shkon vetëm për ushqim. Shto këtu nevojat e tjera që ka një familje: qira banese, veshje, ngrohje, ilaçe, ujë të pijshëm, taksa dhe në fund të muajit qytetarit të zakonshëm nuk i ngelet asnjë lek, biles shumica e mbyllin muajin me borxhe.

Gjithashtu mbetemi të fundit jo vetëm në Europë, por edhe në rajon për të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vetëm 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Na lë pas Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Për të mos folur për çmimin e naftës që sot në Maqedoni është 125 lek litri, në Shqipëri 188 lekë litri, mbi 30% më i shtrenjtë.

Produktet e shportës janë rritur me 30-40%, frutat tashmë janë luks për shumë pensionistë e qytetarë, për të vazhduar me bulmetin, vajin e deri te fasulja.

Të nderuar qytetarë,
Secili prej nesh duhet të pyesë veten a i dalin paratë për të mbuluar shpenzimet e muajit?

A ka mundësi të lërë diçka mënjanë për një situatë të papritur apo të bëjë të paktën disa ditë pushime në vit?

A ka mundësi të paguajë shkollën e fëmijëve që nga librat, veshjet, after school, e deri tek qeratë dhe shpenzimet e një fëmije student?

Çdonjëri prej nesh, përtej çdo bindjeje politike që ka, duhet të shohë sot buxhetin e familjes së vet për të kuptuar nëse qeveria që drejton vendin dhe mbahet me taksat e tij është e përgjegjshme apo ka punuar çdo ditë për të mbushur xhepat e vet dhe të klientëve të saj.

Kaq e thjeshtë është.
Të gjitha sa referova me fakte dhe jo me propagandën boshe që karakterizon qeverinë Rama, dëshmojnë bindjen time se ajo nuk ka ndërmend t’i rishpërndajë te qytetarët të ardhurat e buxhetit të shtetit që kanë shkuar në 7 miliard lekë për 2024, por siç ka bërë gjithmonë, do të vazhdojë t’i kanalizojë te përfituesit e PPP-ve dhe aferave të saj korruptive.

Ndërsa qeveria greke do të rrisë pagën minimale për herë të dytë brenda vitit, qeveria shqiptare rrit barrën fiskale mbi shtresën e mesme, duke taksuar me 23% profesionistët e lirë.

Një arsye më shumë për t’i nxitur edhe ata të largohen, siç po largohen kompanitë fason, duke mbyllur me mijëra vende pune.
Ndaj ftoj çdo qytetar që sot të bëjë një bilanc të thjeshtë për ekonominë familjare, nëse ajo është më mirë apo është përkeqësuar.

Kaq mjafton për të kuptuar se nga çfarë qeverie drejtohemi.
Ekonomia e shqiptarëve është sot në buzë të greminës për shkak të keqqeverisjes. Kjo qeveri e etur për t’u pasuruar në kurriz të taksapaguesve dhe burimeve natyrore të vendit duhet të kuptojë se po ecën në drejtimin e gabuar!

Marrja e masave që lehtësojnë situatën ekonomike të shqiptarëve është emergjencë!

Shqiptarët sot kanë nevojë për mbështetje, mbështje, mbështetje dhe jo propagandë.

Arena e Lajmit

“Të fundit në Europë për të ardhurat për frymë”, deputetja e PL: Marrja e masave që lehtësojnë ekonomikisht shqiptarët, emergjencë!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook