Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se ka mbajtur qëndrimet e tij publike dhe ka kritikuar SPAK për disa nga çështjet më të nxehta.
Bardhi tha për Syri Tv se hetimet e inceneratorit nga SPAK janë të mangëta dhe tha se pret që kallëzimi i bërë nga PD për këtë çështje të merret në shqyrtim dhe të shkohet te përgjegjësit e vërtetë të kësaj afere, që sipas tij janë Rama dhe Veliaj.
Sipas tij është jashtë çdo logjike jo juridike, që të thuash se drejtori që ka sigluar shkresën është në burg dhe ka përgjegjësi penale, ndërsa kryetari i bashkisë që i ka dhënë vlerë ligjore të gjithë koncesionit dhe abuzimeve me paratë publike, të jetë jashtë hetimeve dhe përgjegjësisë penale.
Bardhi: “Sa herë që kam konstatuar që ka një tejkalim apo anashkalim të ligjit nga SPAK apo institucione të tjera, kam mbajtur qëndrimet e mia publike. Kam kritikuar SPAK që në rastin e koncesionit të sterilizimit, segmente të caktuara brenda SPAK i dhanë një lloj amnistie penale ish-ministrit të Shëndetësisë, mikut të ngushtë të Edi Ramës, Ilir Beqaj.
E kam thënë edhe publikisht, që është punë e mangët e SPAK. Unë pres që kallëzimi i bërë nga PD, i dërguar prej meje në atë kohë të merret në shqyrtim i plotë dhe hetimet të shkojnë te përgjegjësit realë të kësaj afere, që është kryeministri Edi Rama dhe për inceneratorin e Tiranës, kryetari i bashkisë së Tiranës.
Është jashtë çdo logjike jo juridike, por edhe njerëzore, që të thuash se drejtori që ka sigluar shkresën është në burg dhe ka përgjegjësi penale, ndërsa kryetari i bashkisë që i ka dhënë vlerë ligjore të gjithë koncesionit dhe abuzimeve me paratë publike, të jetë jashtë hetimeve dhe përgjegjësisë penale.”