Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili është nën hetim nga SPAK ka pasur njohje me Ermal Kurtulajn, koordinator i një projekti me fondet e BE-së.
Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur dosjen hetimore, ku tregohet me detaje sesi hetuesit e SPAK ranë në gjurmët e bizneseve, ndërsa theksohet se ka qenë një gjobë makinë që ka “fundosur” ish ministrin e Shëndetësisë.
Por cila është lidhja e Ermal Kurtulaj me Ilir Beqajn? Dhe pse SPAK, ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se Kurtulaj është një prestanome i Beqaj në aktivitetet që ky i fundit ka në fushën e biznesit. Por, për të shkuar te kjo lidhje midis të dyve, pra drejtuesit të SASPAC, Ilir Beqaj dhe vartësit të tij brenda kësaj agjencie, në këtë rast Kurtulajt, SPAK i është dashur fillimisht të ndjekë makinën me të cilën ish-ministri i Shëndetësisë lëvizte së fundmi.
Automjet me të cilin Beqaj ishte paraqitur edhe në SPAK, edhe gjatë thirrjeve të tij, për t’u marrë në pyetje në lidhje me dy aferat ku mendohet se është përfshirë, atë të Sterilizimit dhe të Check Up-it. Nuhatje që mesa duket nuk doli edhe aq gabuar për hetuesit e SPAK. Të cilët shpejt kuptuan se pas makinës me të cilën Beqaj lëvizte, rrotulloheshin shumë interesa, të cilat ai vetë ishte përpjekur t’i mbante jashtë vëmendjes së ligjit. Siç ishte edhe fakti që makina në të vërtetë ishte në pronësi të Ermal Kurtulaj, njeriut të besuar të Ilir Beqaj, të cilin ky i fundit e përdorte si koperturë në aktivitetet e tij, më qëllim për të fshehur burimet e paligjshme të të ardhurave, që më pas ishin investuar në biznese të ndryshme.
“Gjatë hetimeve ka rezultuar se Ermal Kurtulaj ka njohje të hershme me ish-drejtuesin e Agjencisë (SASPAC) Ilir Beqaj, të cilat datojnë që në kohën kur ky i fundit ka qenë ortak i shoqërisë Intech+. Duke vazhduar më pas në vitin 2015 në FSDKSH, ku drejtues i Këshillit Mbikqyrës ka qenë vetë Ilir Beqaj dhe më pas me krijimin e kësaj agjencie, si i punësuar në projektin Eusair Facility Point. Po ashtu rezulton se Ilir Beqaj përdor në mënyrë të vazhdueshme si brenda dhe jashtë vendit një automjet, i cili rezulton të jetë në pronësi të Ermal Kurtulaj, duke ngritur dyshime se ky automjet mund të jetë pasuri e fshehur e ish-ministrit”, thuhet në dosje.
Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, automjeti me të cilin Beqaj është parë të lëvizë së fundmi, është blerë në shtator të vitit 2019, në kohën që ai vetë ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Automjet me të cilin Beqaj është parë shpesh të lëvizë edhe përgjatë vitit 2020, jashtë territorit të Shqipërisë, që në vazhdim ka ndryshuar targë, konkretisht më qershor të vitit 2022. Por ajo që do ta çonte SPAK drejt një investigimi më të hollësishëm, drejt këtij automjeti, që do të zbulonte më pas edhe marrëdhënien klienteliste që Ilir Beqaj kishte me Ermal Kurtulaj dhe do të nxirrte zbuluar bizneset që fshiheshin në emrin e të dyve, do të ishte pikërisht një gjobë. Këtë gjobë të cilën drejtuesi i automjetit me të cilin Beqaj lëvizte, e mori pikërisht për parkim të gabuar, në kohën që ish-ministri i Shëndetësisë ishte thirrur për t’u pyetur në SPAK, dhe pikërisht përpara kësaj godine dhe syve të vetë hetuesve, por edhe të medias së pranishme në atë moment, që dokumentuan ngjarjen. Pikërisht kjo makinë ‘Wolkswagen’ që shikoni edhe në foto. Që u bë pikënisja e një hetimi të ri, që dyshohet se mund të jetë një prej pasurive të shumta të fshehura nga ish-ministri Beqaj, që mund ta fundosë edhe njëherë atë vetë.
“Nga kqyrja në sistemin E-Gjoba rezulton se ky mjet ka marrë 3 gjoba ku i pranishëm ka qenë Arben Dani. Gjoba e fundit është vendosur më datë 12 Dhjetor 2023, në momentin kur automjetin e ka patur në përdorim Ilir Beqaj, dhe ishte parkuar para SPAK”, thuhet në dosje.
Pikërisht ndjekja e makinës dhe e aktivitetit të shoferit personal të Beqaj, çuan hetuesit edhe te disa nga bizneset, kryesisht në fushën e gastronomisë, të cilët më pas rezultuan se kishin krijuar fatura fiktive për llogari të SASPAC.
Një nga këto emra ishte edhe Gazmend Haxhia, në dukje administrator i shoqërisë ‘Landways International’, i cili del se ka lëshuar një faturë fiktive prej 149 mijë euro kundrejt Eusair, ku koordinator ishte Ermal Kurtulaj. Por që SPAK beson se në të vërtetë administrator i kësaj shoqërie është Ermal Kurtulaj dhe Ilir Beqaj.
“Më datë 16 Gusht 2023, kundrejt EUSAIR është lëshuar për shoqërinë tregtare, ‘Landways International’, me përshkrimin “Service contract-organization of the’ fatura 149 809 21 Euro. Kjo shoqëri ka administrator shtetasin Gazmend Haxhia”, sqaron dosja.
Një tjetër shoqëri që del se ka lëshuar fatura fiktive është edhe ‘Albanian Food and Hospitality Lab’ që ka në pronësinë e saj edhe restorantin ‘Gzona’ dhe që ndodhet në ambientet e brendshme të Kalasë së Tiranës. “Lidhur mbi faturën e datës 16 Gusht 2023, rezulton të jetë lëshuar disa minuta para se të lëshohet fatura tjetër kundrejt Eusair-it. Duke u krijuar dyshimi i arsyeshëm që paraprakisht palët kanë biseduar me njëri tjetrin dhe që shuma përbën përfitim material, korrupsion që shoqëria tregtare ‘Landways’ ka paguar ndaj ‘Gzonës’, për shërbimin që ajo ka përfituar për të kryer nga Eusair-i”, thuhet më tej në dosje.
Por pavarësisht se Ermal Kurtulaj del se është personi ndërlidhës midis këtyre bizneseve apo shoqatave dhe faturave fiktive të krijuara prej tyre, të lëshuara kundrejt Eusair, ku ai është koordinator, SPAK beson se pas emrit të Kurtulaj, fshihet shefi i tij në SASPAC, Ilir Beqaj. Dhe kjo bindje forcohet gjithmonë e më shumë pas vënies në përgjim të Kurtulaj dhe njerëzve që e rrethojnë. Ku Kurtulaj edhe pse nuk është administrator i restorantit ‘Gzona’, sillet porsi të ishte i tillë.
“Nga bisedat e përgjuara del se Ermal Kurtulaj është i përfshirë në punët e restorantit. Ai interesohet vazhdimisht për mbarëvajtjen e këtij restoranti, duke vepruar si epror ndaj administratorit, Gazmend Prenga. Në ditët e fundit midis tyre ka disa komunikime, kohë që përkon dhe me mbylljen e bilancit vjetor, me rakordimet ndërmjet investimeve të kryera mbi këtë restorant përgjatë vitit si dhe me faturat e lëshuara për këtë restorant. Përfshi edhe ato të lëshuara në kuadër të veprimtarisë së projektit që Kurtulaj drejton. Po ashtu nga komunikimet e kryera dyshohet se Ermal Kurtulaj vepron në këtë restorant për llogari të shtetasit Ilir Beqaj”, thotë dosja.
SPAK ngre dyshime se njerëzit e Beqajt, bëjnë çdo përpjekje për të shmangur përfshirjen e drejtuesit te SASPAC…
“Këto dyshime ngrihen nga mënyra se si komunikohet dhe veprohet nga ana e këtyre subjekteve, duke shmangur çdo përfshirje të këtij shtetasi Ilir Beqaj si me administratorin ashtu me ortakët dhe duke i mbajtur komunikimet dhe rakordimet e takimeve nëpërmjet shtetasit Ermal Kurtalaj. Nga deklarimet vjetore rezulton se pas vitit 2020 shtetasi Ilir Beqaj nuk ka deklaruar interesa mbi këtë aktivitet”, vijon dosja.
Por skema e impilikimit të dyshuar të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe njerëzve të tij të afërt, qoftë edhe familjarë të ngushtë, të përfodur për fshehjen e pasurive të përfituara në mënyra të paligjshme, duke shfrytëzuar postin e tij si zyrtar publik, duket të jetë edhe më e zhdërvjellët. Edhe pse shoqëritë e krijuara nga njerëzit pranë Beqaj, janë përpjekur kohë pas kohe të ndryshojnë ortakët, gjurmët e lëna në ekstraktet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesve, të çojnë te vetë familja e Beqaj. Siç është edhe rasti i shoqërisë ‘Albanian Food and Hospitality’. Shoqëri e krijuar nga Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqaj, e cila del se ka lëshuar fatura fiktive kundrejt SASPAC, të drejtuar po nga nga Beqaj.
“Nga ekstrakti historik del se shoqëria tregtare ‘Albanian Food and Hospitality’ është themeluar në vitin 2019, ku më pas ortake ka qenë shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e shtetasit Ilir Beqaj, e cila ka patur 50 % të kuotave të shoqërisë. Më datë 1 Mars 2019, Adriana Beqaj ia ka dhuruar 35 % të kuotave të saj ortakut tjetër, Arti Malaj, i cili ka shkuar në 85 % të kuotave, ndërsa Adriana Beqaj në 15 %. Më datë 26 Shkurt 2020, Adriana Beqaj i ka shitur ortakut Arti Malaj edhe pjesën e mbetur prej 15 % të kuotës. Disa muaj më pas, më 12 Gusht 2021, Arti Malaj, ia ka shitur të gjitha kuotat shtetasit, Eduard Curraj”, sqaron dosja.
Por kërkimet e SPAK rreth këtyre personazheve nuk duket se u ndalën këtu. Pasi nga hulumtimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, doli se Eduard Curraj, ishte edhe ortak pranë shoqërisë ‘Delta Holding’, që merret me shpërndarjen e prodhimeve farmaceutike.
“Nga kërkimi në QKB, rezulton se Eduard Curraj është ortak edhe pranë shoqërive: ‘Curri Group’ Sh.p.k, ‘Curri’ Sh.p.k; dhe ‘Delta Holding’. Ku administrator i kësaj shoqërie rezulton të jetë Gazmend Prenga, i cili ka komunikime të shpeshta me Ermal Kurtulaj”.
Pra siç shikohet edhe në këtë kompani, dy njerëzit te të cilët rrotullohen punët janë Ermal Kurtulaj dhe Gazmend Prenga. Të njëjtët të cilët merren edhe me administrimin e restorantit ‘Gzona’ që del se ka lëshuar fatura fiktive për llogari të Eusair, të drejtuar nga Ermal Kurtulaj, në varësi të SASPAC, agjencisë me ekzekutues, Ilir Beqaj. Biseda që konkretizohen edhe nga përgjimet e kryera nga SPAK, midis Kurtulajt nga njëra anë dhe Prengës nga ana tjetër.
Si kjo më poshtë, ku të dy flasin për një tjetër faturë fiktive.
Kurtulaj: Po shkruje i çik pra, të më thuash vlerën, se nuk do e presësh ti, do e presim diku tjetër. Po thjesht sa është si vlerë?
Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton..
Nga verifikimet e kryera nga SPAK, rezulton se kjo bisedë dyshohet se lidhet me faturën e datës 15 Nëntor 2023 që shoqëria ‘Me’Nam’ Sh.p.k, ka lëshuar kundrejt subjektit që është pjesë e SASPAC-Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, në vlerën 115 500 lekë. Ndërkohë që nga komunikimet e datave 20 Shtator 2023 deri më 10 Nëntor 2023 dhe në vazhdim kuptohet që faturat për organizimet e eventeve tek ‘Gzona’ i faturon shtetasi Fisnik Fili.
“Në të paktën dy raste Ermal Kurtulaj i referon Fisnikut që për efekt tvsh-je, do të lëshohen fatura të tjera për të: ‘Po pra, që të mos kesh probleme po i them që të të bëjnë një faturë ty, që të zbritet edhe kjo tvsh-ja. Që të jesh në rregull për të gjitha faturat, vendosi ndonjë emër konsulence.’ Nga kqyrja e faturave rezulton se: Më datë 19 Korrik 2023 shoqëria Me’Nam Sh.p.k, ka lëshuar faturë kundrejt Projektit ‘Asistenca Teknike IP II CBC’. 4 ditë më vonë, shoqëria Me’Nam sh.p.k ka lëshuar faturë, në vlerën 93 600 lek. Ndërsa në nëntor o kjo shoqëri ka lëshuar faturën e radhës”, thotë dosja.
SPAK arsyeton se faturat janë firmosur me qëllim që të fshihet lidhja mes restorant Gzonës dhe ish-ministrit Beqaj.
“Rezulton se këto fatura në fakt i përkasin restorantit ‘Gzona’ dhe këto veprime janë kryer me qëllim që të fshihet lidhja mes ‘Gzonës’ dhe shtetasit Ilir Beqaj, që është dhe vetë Drejtori i SASPAC që monitoron këto projekte”, vijon.
Por interesante është edhe një bisedë e përgjuar, ku tashmë një nga folësit sipas SPAK është vetë Ilir Beqaj. Komunikim i mesit të muajit dhjetor 2023. Vetëm pak kohë pasi Beqajt i ishte komunikuar nga SPAK, urdhëri për ndalimin e udhëtimit jashtë vendit. Ku Beqaj kapet në përgjim këtë herë jo duke folur me telefonin e tij, por me atë të shoferit të tij, Arben Dani.
“Gjatë hetimeve kanë rezultuar dhe biseda të shtetasit Ilir Beqaj me Ermal Kurtulaj. Komunikime të kryera nëpërmjet telefonit të shtetasit Arben Dani, shofer pranë SASPAC. Ku Beqaj i kërkon Kurtulaj që të lidhet me Gazin nëse është në Tiranë, me qëllim për t’u takuar. Më datë 6 Dhjetor 2023 rreth orës 23.21 Ermali flet me Gazin ku i kërkon nëse e ka me vete bllokun që mban shënimet dhe ai i thotë: ‘Po është tek puna’. Ku nga biseda kuptohet që bëjnë llogari në lidhje me paratë që janë investuar nga ana e Ermalit dhe jo vetëm. Fakti që referimi bëhet në numrin shumës ngrihen dyshime dhe për interesa të shtetasit Ilir Beqaj në atë restorant”, sqarojnë hetuesit.
Dyshimet shtohen edhe me shumë, pas përgjimit të një bisede mes Ilir Beqajt dhe Ermal Kurtulaj, ku Beqaj ka përdorur telefonin e shoferit të tij.
Beqaj: Ti e di ça kërkohet pse ia fut kot?
Beqaj: Tabelën e kemi likuidim, si quhet aneksi 8, ku e di unë tashi. I thuj nëqoftëse mundet nga ora 4 e mbrapa kur të dojë. Gazin, pra Gazin po të them.
Ermali: Mirë atëherë, okej në rregull pra.
Por SPAK ka dyshime të forta se Ilir Beqaj, duke shfytëzuar pozicionin e tij të dikurshëm si ministër i Shëndetësisë, ka lidhje dhe kontroll edhe në kompaninë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Dyshime që lidhen edhe me vetë personazhet që rrotullohen rreth tij. Arsye për të cilën kjo kompani u bë pjesë e një kontrolli të imtësishëm të Prokurorisë së Posaçme.
“Nga të dhënat dyshohet se Ermal Kurtulaj, i referohet ‘Dori’, shtetasit Dorian Sadiku, i cili është bashkëortak me shtetasin Eduard Curraj në shoqërinë ‘Delta Holding’ Sh.p.k, e cila në vetvete është ortake e vetme e ‘Delta Pharma- Al’ sh.p.k. Gjithashtu janë bashkë ortakë në shoqërinë ‘Curri’ Shpk. Po kështu Eduard Curraj është ortaku i vetëm që zotëron kuotat pranë ‘Gzona Restorant’ (Albanian Food and Hospitality Lab Sh.p.k). Nga kqyrja e deritanishme e pamjeve filmike rezulton se më datë 14 Dhjetor 2023 tek ‘Gzona’ shkojnë Ermal Kurtulaj dhe Dorian Sadiku. Ky i fundit vjen me një mjet ‘Mercedez Benz’ që sipas të dhënave nga DRSSHT-ja është mjeti me të cilin shtetasi Ilir Beqaj ka dalje jashtë vendit në vitin 2022, po ashtu, nga kqyrja e sistemit C@ts të Tatimeve, rezulton se subjekti ‘Gzona’, ka deklaruar shitje për periudhën 2019-2023 ndaj subjekteve ‘Delta Pharma.al’, me një vlerë totale 10 509 308 lekë. Këto fakte japin të dhëna për ndërveprim mes këtyre dy subjekteve i cili ka lidhje me faktet objekt procedimi”, thotë dosja.
Janë të gjithë këto prova dhe dyshime që kanë krijuar bindjen gjithmonë sipas SPAK, se pas këtyre bizneseve mund të fshihet Ilir Beqaj, i cili duke shfrytëzuar pozitat e tij shtetërore kohë pas kohe, ka bërë të mundur të krijojë dhe ti fshehë këto pasuri në emër të personave të ndryshëm, të cilët më pas drejtohen po prej tij.
“Nga komunikimet e muajit dhjetor krijohen dyshime se subjektet janë takuar për t’u marrë me rregullimet e dokumentacioneve përkatëse, bilanceve e të tjera për shkak të fundit të vitit, pasi në këtë muaj mbyllet lëshimi i faturave përkatëse dhe bëhen llogaritë në lidhje jo vetëm me biznesin ‘Gzona’, e cila ka për ortak të vetëm shtetasin Eduart Curri. Por nisur edhe nga fakti që takimi është kryer me shtetasin Dorian Sadiku, bashkëpronar me shtetasin Eduart Curri në shumë subjekte të tjera, që kanë ushtruar aktivitetin e tyre dhe në kohën kur shtetasi Ilir Beqaj ka qenë Ministër i Shëndetësisë dhe më pas deputet”.
SPAK është duke hetuar lidhjen mes Ilir Beqajt me pronarët e kompanisë farmaceutike Delta Pharma, ndërsa po kalon në sitë të gjitha kontratat që janë nënshkruar mes palëve në kohë kur Ilir Beqaj ishte ministër Shëndetësie. Po ashtu, ka dyshime të forta se Ilir Beqajt, ka favorizuar kompaninë Delta Pharma gjatë kohës që drejtonte Shëndetësinë. Por a do jetë ky hetim që do të krijojë edhe njëherë një tjetër ciklon rreth ish-ministrit Ilir Beqaj. Apo edhe ky hetim do të zvarritet ashtu si në rastin e dosjeve ende të pambyllura të Sterilizimit dhe Check Up-it. A do të mundet SPAK, që me provat e mbledhura, të vendosë me shpatulla pas muri, ish-ministrin, që vazhdon të jetë i lirë.