Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen e Gazment Canajt, ish-zyrtarit të Kadastrës, i cili akuzohet për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
SPAK njofton se nga një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale) provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.
Canaj rezulton se ka shpërndarë ushqime dhe ka ofruar përfitime të paligjshme në kërkim të votave.
Njoftimi i SPAK:
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 10.01.2024 ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.116/1 viti 2022 në ngarkim të pandehurit:
Gazmend Canaj, akuzuar për kryerjen e veprës penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Nga analiza një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale) provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik që Gazmendi mbështeste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në qarkun e Tiranës, të datës 25 prill 2021.
Rezulton e provuar se i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar dhe dhënë ushqime shtetasve G. K. dhe E. G. si dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme shtetasve S. K., R. C. dhe F. R., kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre, në favor subjektit politik që Gazmendi mbështeste.
Sqarim: Kërkesa për gjykim është pjesë e ushtrimit të ndjekjes penale. Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.