Në futbollin italian, VAR po kthehet në “çështje” kombëtare, kontestime pafund, dyshime, akuza të forta. VAR ishte protagonist absolut edhe në sfidën Milan-Atalanta, të dy palët dolën me akuza të forta pas ndeshjes, mbi të gjithë kuqezinjtë për një penallti të pa dhënë në limitet e shtesës. Fakt është që Atalanta mposhti Milan brenda në “San Siro” duke siguruar një biletë për në fazën e 1/2 në Kupën e Italisë. Përveç VAR, protagonistë ishte dhe Koopmeiners, me mesfushorin holandez që realizoi një “dopietë” golash.
Të parët që protestuan fuqishëm për një penallti të pa dhënë ishte Atalanta, me Gasperinin që u ndëshkua me karton të kuq për protesta. Fundi i pjesës së parë ishte “zjarr”, me Milanin që kaloi në avantazh pas një kundërsulmi të bukur, të ideuar nga Leao dhe të finalizuar me shumë klas nga po vetë portugezi. Atalanta iu përgjigj në të njëjtën formë dy minuta më pas me Koopmeiners që barazoi shifrat në 1-1.
Me fillimin e pjesës së dytë, Miranchuk fitoi një 11-metërsh për faull nga Jimenes, një tjetër moment i dyshimtë që solli pakënaqësi në radhët e “djallit”. Nga pika e bardhë e penalltisë, Koopmeiners u tregua i saktë duke përmbysur rezultatin. Kjo ishte penalltia e parë këtë sezon që fitoi Atalanta. Milan u përpoq deri në fund të dërgonte ndeshjen në shtesë, ndërsa në limitet e sfidës protestuan fuqishëm për prekje të topit me dorë në zonë, por VAR e konsideroi si të rregullt, një tjetër episod i dyshimtë, me kuqezinjtë që largohen nga Kupa me shumë mllef duke larë duart nga një tjetër objektiv.
Një ndeshje thuajse perfekte zhvilloi Berat Gjimshiti me kapitenin kuqezi që u vlerësua me notën 7.
()