Plarent Ndreca është deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, i cili mori mandatin e deputetit të PS, Arben Ahmetaj.
Një ditë më parë, Ndreca u betua si deputet i PS, mes kaosit dhe zhurmës së krijuar nga deputetët e opozitës, të cilët sërish nuk lejuan që të zhvillohej një seancë normale.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 me Ola Brukon, ai tha se edhe pse u betua në këtë “atmosferë”, ka bërë detyrën, gjë që sipas tij, nuk e bën opozita.
I pyetur nëse mendon se është një ogur i keq apo i mirë fakti që ka marrë mandatin e Ahmetajt, i cili është në arrati, u shpreh se nuk i bën përshtypje dhe se marrja e mandatit ishte një procedurë.
Pjesë nga intervista:
Bruko: U betuat mes kaosit
Ndreca: Unë bëra detyrën time dhe secili prej anëtarëve të atij institucioni aq të rëndësishëm duhej të bënte detyrën e tij. Mazhoranca mendoj se po kryen detyrën e vet, ndërsa opozita jo.
Bruko: Oguri i mirë apo i keq që merrni mandatin e Ahmetajt?
Ndreca: Nuk kam ndonjë ndjesi të posaçme, Ahmetaj ka qenë deputet i PS. Për arsye të tij ka munguar, dhe pas humbjes së mandatit është procedurë që të thërritet kandidati i radhës. Për shkak të refuzimit nga Dallëndyshe Bici, më qëlloi ta marr unë. Absolutisht që jam i kënaqur sepse është detyra më e lartë për një person që ka vite që merret me angazhimin politik.
Bruko: Cilat do të ishin prioritetet tuaja personale?
Ndreca: Aty je pjesë e një organi kolegjial, nuk je e thjeshtë që objektivat e tua t’ua imponosh. Por do tentoj të rriten cilësia e akteve dhe kulturën tonë juridike, si në komunikim apo në qasje të institucioneve. U bënë vite që bëj diskurs politik në studio të ndryshme, dhe kam thënë që nuk ka politike mbi kushtetutën. Nuk vihet mbi ligjin, ligji është mbi çdo politikë, dhe ne duhet të tentojmë të afrohemi drejt BE me mentalitet.