Ish-ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka reaguar për herë të parë pas krijimit të ministrisë së re, asaj të Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Margariti shkruan se sot mbyll misionin e saj 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës, të cilën e quan një rrugëtim të jashtëzakonshme.
Sakaq nuk ka harruar të falënderojë dhe kryeministrin Edi Rama për besimin, ndërsa ka uruar edhe Blendi Gonxhen, i cili do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës.
Postimi i plotë:
Sot përmbyll misionin tim 5-vjeçar në krye të Ministrisë Kulturës.
Një rrugëtim i jashtëzakonshëm që më rriti si njeri dhe si profesioniste.
I jam falenderuese kryeministrit Rama për besimin, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë, stafit të Ministrisë së Kulturës dhe kujtdo që na mbështeti në punën tonë, që e kemi bërë me shumë dashuri!
Sot jam e nderuar që i kam shërbyer kulturës këto 5 vite; krenare për gjithë sa bëmë e do të vijohet nga pasardhësi; krenare për imazhin dhe jehonën e bukur që ka sot kultura shqiptare, si kurrë më parë!
Suksese Ministrit Gonxhe në sfidën e re në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit!