Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari në një deklaratë për mediat foli për inceneratorin e Tiranës dhe ndërtimet pa leje në Sharrë.
Gjatë fjalës së tij, Barimllari i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme, duke i kërkuar që të mos bëhet palë në këtë aferë.
Deklarata e plotë e nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari:
Të nderuar qytetarë, tani është e qartë prej kohësh që Bashkia e Tiranës është kthyer në një institucion abuzimi në raport me qytetarët dhe vetëm për interesat personale të Erion Veliajt dhe shpurës së tij.
U bë një muaj nga denoncimi i deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi mbi thellimin e abuzimit tek inceneratori Tiranës që nuk ekziston, ku në shkelje të ligjit, në territorin e Bashkisë së Tiranës janë zaptuar 15 hektarë tokë, ndërtim pa leje.
Në këtë territor prej 15 hektarësh janë depozituar dhera duke ndryshuar relievin e territorit nga liqenor e kanë kthyer në kodrinor.
Kjo vepër penale ka ndodhur në tew nrritorin e Bashkisë së Tiranës ku përgjegjës kryesor është Erion Veliaj i cili ka qenë dhe është në dijeni të plotë.
Institucionet në varësi të Bashkisë së Tiranës nuk kanë mbrojtur interesin publik por interesin personal të Erion Veliajt.
Në emër të Partisë së Lirisë, ne kemi bërë kallëzimin në SPAK. Por nga ana tjetër i kemi bërë thirrje disa herë publike qeverisë, Ministrisë së Brendshme që ka në funksion të drejtëpërdrejtë mbrojtjen e territorit të mos bëhet palë me këtë aferë korruptive, por të shkojë atje, të verifikojë në terren, të shikojë sesi janë zaptuar 15 hektarë tokë.
Tani është e qartë që çështja e inceneratorit të Tiranës është një aferë korruptive ku nuk është vetëm mosekzistenca e inceneratorit por edhe depozitimi i dherave e ndërtimi pa leje në territorin e Bashkisë së Tiranës.
Menaxhimi i mbetjeve në Tiranë është një cikël i mbyllur korrupsioni që fillon me pastrimin e Tiranës, me kompaninë monopol të Erion Veliaj ‘Eco Tirana’, me inceneratorin që nuk ekziston dhe me depozitimin e dherave.
Për të gjitha këto afera korruptive, nuk mjafton arrestimi i drejtorëve të Erion Veliajt, por drejtësia duhet të shkojë të ideatori, urdhëruesi dhe zbatuesi i kësaj afere që është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Çdo shkëmbim i drejtorave të bashkisë me Erion Veliajn nuk i shërben drejtësisë dhe interesit publik.
Qytetarët e Tiranës presin drejtësi mbi përdorimin e taksave dhe tarifave vendore dhe një bashki që të menaxhojë qytetin dhe jo hallet personale të Erion Veliajt.