Ajo që përflitej prej kohësh, sot është bërë realitet. Ivan Perishiç është bërë zyrtarisht përsëri një futbollist i Hajduk Split. Një kthim në shtëpi pas 18 vitesh për mesfushorin kroat, i cili ka dalë nga akademia e këtij klubi para se të niste rrugëtimin në Europë.
Perishiç në fakt është i dëmtuar dhe i është nënshtruar disa muaj më parë një ndërhyrje kirurgjikale në ligamente, ndaj vështirë se do të kthehej në fushën e lojes në këtë edicion me klubin e Totenhem. Por objektivi i tij është të jetë i gatshëm për Euro 2024.
Ndaj ai i ka kërkuar klubit anglez që ta lërë të largohet, meqë ishte në muajt e fundit të kontratës, në mënyrë që të kthehej te Hajduku që e pret krahëhapur. Atje pret te riaftësohet dhe shpreson që të luajë ndeshjet e fundit të sezonit me klubin kroat, për të gjetur formën sportive para sfidave në Europian. Totenhemi e ka huazuar falas futbollistin te Hajduk Split i cili e ka prezantuar sot mesfushorin me fanellën me numrin 4.