Një sfidë fantastike rezultoi ajo ndërmjet Betis dhe Barcelonës, 6 gola të shënuar, protagonistë të mëdhenj si Ferran Torres dhe Isco, në fund ata që festuan ishin të besuarit e Xavi-t. Ekipi blaugrana doli me tre pikë nga një transfertë e vështirë pas fitores me “poker” golash, një sukses 4-2 që i mban në lojë pavarësisht se diferenca me kreut është tetë pikë.
Në minutën e 21-të, Torres mori një asist të pastër nga Pedri, me sulmuesin spanjoll që e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Me fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Ferran Torres që gjeti rrugën e rrjetës me një goditje të bukur brenda në zonë. Për t’iu përgjigjur Barcelonës mendoi një rival i vjetër si Isco. Ish lojtari i Real Madrid realizoi një “dopietë” brenda tre minutash, 56-59 duke rikthyer baraspeshën. I hedhur në fushë si zëvendësues, për të zgjidhur problemet e Xavi-t mendoi Joao Felix i cili në minutën e 90-të me një goditje shumë të bukur riktheu Barcelonën në avantazh. Në shtesë ishte Ferran Torres që finalizoi me gol një kundërsulm të shpejtë duke kompletuar “tripletën” e tij personale:
“Duhet ta kishim mbyllur sfidën më herët, por ekipi luajti shumë mirë, ishte një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni”, u shpreh Xavi pas ndeshjes. Me Realin dhe Barcelonën që rivalizojnë në distancë, është Girona që vijon të kryesojë me meritë La Liga-n.
“Hirushja” e Spanjës mposhti me rezultatin e thellë 5-1 Sevilla-n, ku protagonist kryesor ishte sulmuesi ukrainas Artem Dovbyk, autor i një “triplete” brenda pjesës së parë. Pas javës së 21-të, Giroan kryeson në kuotën e 52 pikëve, plus 1 nga Real Madrid, dhe plus 8 nga Barcelona, por Girona ka një ndeshje më shumë.
()