Pas pretendimeve të gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Arnisa Këlliçi se ishte kërcënuar përmes një letre, KLGJ mbledh sot komisionin për mbrojtjen e magjistratëve. Gazetarja Klodiana Lala raporton për se mbledhja është parashikuar që të nisë në orën 10:00.
Këlliçi tha dy ditë më parë se letra përmbante të dhëna kërcënuese për të dhe familjen, ndërsa ajo kërkonte mbrojtje të posaçme në KLGJ.
LETRA
“Sot me date 20 janar 2024 me ka ardhur një letër cenuese qe me aq sa mund te deshifroj përmban kërcenim për mua, fëmijët e mi dhe familjen time. Unë nuk mund te atestoj ne asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre. Thënë kjo për çdo eventualitet unë kërkoj mbrojtje te posaçme për aq sa ju e shihni te nevojshme”- thuhet ne letrën e gjyqtares Këlliçi.
Zanafilla duket se lidhet me një kallëzim që kancelari i gjykatës së Tiranës ka bërë në prokurori për një prokuror. Incidenti i rëndë dyshohet të ketë ndodhur pak ditë më parë, kur kancelari është telefonuar pas mesnate disa herë nga një prokuror, identiteti i të cilit nuk konfirmohet dhe në kushtet kur kancelari se ka ngritur telefonin, ai ka nisur ta kërcënojë përmes mesazheve. Ndodhur përpara një situate të tillë, kancelari e ka telefonuar prokurorin mbrapsht, për të kuptuar arsyet se përse ai i dërgonte mesazhe të tilla, kërcënuese dhe fyese. Burimet konfirmojnë se përmes celularit të bashkëshortes, ai e ka regjistruar telefonatën kërcënuese me prokurorin. Në bisedë e sipër, prokuroria ka përfshirë edhe emrin e një gjyqtareje, duke e kërcënuar po ashtu se do ta vriste.
Krahas kallëzimit penal kancelari ka vënë në lëvizje dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, duke kërkuar procedim disiplinor ndaj prokurorit, për thyerje të rëndë të etikës profesionale. Burimet janë tejet të rezevuara për të dhënë shpjegime në lidhje me rastin, për faktin se të gjithë personat e përfshirë janë pjesë e sistemit të drejtësisë. Sakaq, gjyqtarja do të merret në mbrojtje nga policia derisa të mblidhet komisioni i posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kërkesa e gjyqtares:
Të nderuar!
Para pak ditësh më është bërë me dije nga Kancelari i kësaj Gjykate që kundrejt meje, gjyqtares Amisa Këlliçi, ka patur një kërcënim me jetë. Për këtë fakt unë nuk kam prova, por më është bërë me dije se ka një kallëzim të depozituar nga ana e Kancelarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Sot më datë 20.01.2024, më ka ardhur një letër kërcënuese, që me aq sa mund të deshifroj përmban kërcënime për mua, fëmijët e mi dhe familjen time. Unë nuk mund të atestoj në asnjë moment për vërtetësinë e kësaj letre.
Thënë kjo, për çdo eventualitet, unë kërkoj një mbrojtje të posaçme, për aq sa ju e shihni të nevojshme.
()