Pader Salianjin të mandatuarin nga Kryezevendës Lider Muli dhe Lideri që kërkon perspektiven, Gazin një mëdyshje e madhe e kishte mbështjellë si mjegull.
Besimi i marrë për të udhëhequr betejën opozitare një aurë madhështie i kishte dhënë.
Qysh një ditë përpara më dërgoi një bibliografi emrash të mëdhenj luftërash nga Aleksandri i Madh, Jul Çezari e Xhenxhis Kani. Nxirrte prej tyre stratagema.
I tensionuar nga kjo peshë mati me sy territorin dhe rreshtoi menjëherë trupat të armatosur deri në dhëmbë me parulla.
Me shpejtësi rrufe si Napoleoni në Austerlic inspektonte vijën e frontit.
Si do mësysh sot e pyeta me padurim?
Me fuqinë e së vërtetës dhe vështrimin e së drejtës mor i uruar më tha, ajo vonon po nuk harron. U afrua dhe te veshi me foli.
Dje ke llapur ca si shumë ma kujtoi në konfidencë, duke demoralizuar luftëtarët e lirisë ndaj eja pak mes nesh që të rehabilitohesh. Sot u përqafove me dy zonja socialiste duke shtuar dyshimet kështu që shpejto. Re të errëta të kanë mbuluar.
Po ja u qava shiko sa vënger më sheh Bana, sa qortueshëm Tritani , sa me dyshim Oerdi të cilin shkronjat në anglisht e bëjnë të duket si Promete i lidhur me kauzën. Duke u çapitur zbrita deri aty. Në atë istikam më gjet Fred Xhaferri i cili shprehu dëshirën të shtinte krah meje me një pisqolle sermi.
Me një padurim të ëmbël e ndjellës prisnim të niste melodia e lirisë , kënga e bilbilave. Shihnim nga Qeveria ku shafrani i qoftë largut kishte rënë mbi ta. Një e panjohur ishte ulur pranë Ogit. Ta ketë për hudhër? Harruam për një çast se jemi në luftë e filluam të pyesnim kush është vallë? Humbëm toruan. Dikush thoshte është Ciu është Ciu, një tjetër e mendonte si gardiste që mbron Ogin në anësore.
Si përfundim ishte ministre e re po emrin dhe ministrinë nuk ja mësuam. Aty kuptuam që na kishte marrë malli edhe për Maznikun, Tezen e Gonxhen që nuk po i shohim.
Jeta jonë pa ta është një detaj i rëndomtë. Bora shfaqej si skulpturë e nostalgjisë. Anila ushtronte rrolin e saj në teatrin e jetës me bukolizmin që bujqësia lyp.
Mete kishte hutimin e hyzmeqarit që i shpie kafenë Xhevos, kryetarit të bashkisë tek filmi “koncert në vitin 1936” ku të gjithë e duan të parët. Një buqetë me lule thahej nga cmira mbi karrigen bosh të Margeritit. Niko teshtitej nga aroma e tyre e venitur.
Bela shfaqte sigurinë e të dërguares mes qiellit e tokës edhe pse ajo (toka) po na dridhej nën këmbë.
Mamica me sytë e mëdhenj që i llamburisnin prerazi dha lajmin e shumë pritur “po vjen Babo, po vjen Babo”. Një si ylber ra mbi kokën e Ulsiut. Taos ju shfaqen dy flatra ëngjellore nën sqetulla. Eni Xake tha tre here “Aleluja aleluja aleluja”. Çyrbja turfëlloi ç’gjuhë flet kjo? Fraza perëndie more bekim i shpjegova nga lumturia që u shfaq Babo. E kam lexuar tek Pesoa tha qerratai, admirimi të rrit e po kaq u gëzua edhe ai.
Ardhja e Babos na ndezi tahmanë e protestës. Ne i thonim lësho pe në kërkesat tona ose lipsu… ai tundte kokën gjithë makth, i paudhi.
Luan Baçi hyri në skenën e përgjakur të historisë ashtu siç i ka hije. I kreshpëruar si shqiponjat e hekurta tek pararojat romake u derdh në vijën e parë. Babo lëshoi një të qeshur të hidhur si të gjithë frikacakët duke na kqyrur me një shikim sfidues por në thelb lutës. Pas tij edhe Mamica përgiu gaz. Bana shkoi aty fulikare dhe ju fiku buzëqeshjen si cingaren në taketuke. Helidon Bushati me krenarinë që i jepte momenti shihte me keqardhje nga unë. I dukesha si renegat qe nuk di të vishet sipas stinës së Revolucionit. Atij qyrku i rrinte për bukuri.
Lypa me sy Jorushin e Tabakëve për të njomur pak shpresat me njerzillëk. Ajo kishte udhëtuar në këmbë kah djerrina e LSI e baraslarguar nga Muçua dhe nga ne. E lidhur në direkun e vetvetes kalonte si Odiseu mes Shiles dhe Karibdes për të daleë e palagur në breg. Një muzg simfonik kishte rënë mbi Mimi di Puccinin. Qemanja do i duhej atë çast. Etilda ngjante si sibile e fatit të vet. Etjeni bie në sy duke mbetur në hije. Klosi më i vjetër pas ditëlindjes po më i mençur qamet. Laerti endërron një bisedë filozofike me Bujarin e Lushnjes. Arben Pëllumbi gëzohet që koka e Nasipit e ndan nga ligësitë e kësaj dynjaje. Damua shihte nga Babo dhe këndonte nën zë vargje të eposit “fort po shndrit e pak po nxeh” , a thua rrezet e tij do më ngrohin dhe mua të padënjin? Dimr i ftohte ky tha Braçe ja shiko unë me grip dhe maskë.
Dolëm. Salianji me përgëzoi për bindjen dhe nuk më beri raport. Muli me uroi posaçërisht ” më në fund edhe ti me hapin e shokëve” ! Gazi e dëgjoi ” jo i tha me hapin e revolucionit”. Dhurata Çupi u ngashërye. Shamia e Dash Sulës ato lot i mblodhi.