“Skema ka favorizuar një grup oligarkësh dhe cenuar pronën private”, BIRN: Klientelist, kundërshtohet shtyrja e afatit për “Investimet Strategjike”

Shumica socialiste pritet të miratojë zgjatjen e afatit të ligjit për “Investimet Strategjike” deri në dhjetor të vitit 2027, sipas propozimit të dorëzuar të mërkurën nga deputeti Eduart Shalsi në Kuvend.

Shalsi tha të enjten se edhe pse i qëndronte bindjes mbi domosdoshmërinë e një ligji të ri për investimet strategjike, propozimet e tij do të sillnin përmirësim të kritereve për marrjen e statusit të investitor strategjik.

“Të rritet në mënyrë të konsiderueshme vlera minimale e projekteve të investimit, të cilat aplikojnë për status strategjik në çdo sektor të klasifikuar strategjik sipas këtij ligii në një vlerë prej jo më pak se 50 milionë euro,”shkruajti ai në Facebook.

Kjo është shtyrja e tretë e afatit të një ligji që është miratuar në vitin 2015, dhe u prezantua si një masë e përkohshme nga qeveria “Rama”, fillimisht me afat deri në vitin 2018.

Edhe pse synimi i tij ishte që të thithte investime të huaja, deri më tani vetëm investimi për Durrës Yaht Marina është i huaj, përfituesit e tjerë janë kompani shqiptare.

Shtyrja e afatit është kundërshtuar nga opozita dhe ekspertë të ekonomisë, që këmbëngulin se skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh dhe cenuar pronën private.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku e quan atë “ligjin më klientelist e anti-pronë të 30 viteve të fundit”.

“Ky ligj nuk ka asnjë rekord pozitiv investimesh të huaja,”- shkruan ajo në një status në Facebook të enjten duke shtuar se po ashtu, -“nuk ka asnjë punësim shtesë, por ka veç zaptim të pronës publike e asaj private”.

Sipas Tabakut, ligji gjithashtu cënon rëndë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE-në, konkurencën dhe tregun e lirë.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i tha BIRN-it se ky ligj ka një rekord negativ gjatë zbatimit të tij.

“Janë të paktën 10 vendime të tilla, përveç ndërhyrjeve te ligji bazë, që më shumë së gjithçka tjetër kanë krijuar hapësira për vendimmarrje që shmangin konkurrencën, për kalimin në duart e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit të organizuar të aseteve të rëndësishme strategjikë shtetërorë dhe në disa raste edhe të atyre private, por të maskuara ‘në ëmër të interesit publik’”- thotë Preçi.

Sipas tij, ndryshimet e reja ligjore bëhen në mungesë të një vlerësimi mbi zbatueshmërinë e derisotme të tij dhe injorohen risqet për korrupsion të denoncuara nga aktorë të ndryshëm dhe në mungesë transparence nga qeveria për vendimet e marra në këto vite.

Po ashtu, Preçi rendit disa nga problematikat që kanë dalë deri më tani nga zbatimi i këtij ligji si; “përzgjedhja e kompanive fituese të panjohura, të krijuara posaçërisht, pa përvojë apo të kontrolluara nga persona të ekspozuar politikisht apo më këq akoma të zotëruara drejtpërdrejt nga funksionarë të lartë politikë; transferimi në mjaft raste i pronësisë drejt kompanive offshorë menjëherë mbas marrjes së këtij statusi; kthimi de facto i disa prej këtyre lejeve zhvillimore në një “sifon” për investimin e parave me burim krimin e organizuar dhe korrupsionin, etj..”

Edhe gazetarja e ekonomisë, Ola Xama, e quan një hap pas ndryshimin e ligjit. Sipas saj, zbatimi i ligjit vërtetoi se qëllimi nuk ishte thithja e investimeve të huaja, “por përfundoi në ndarjen e tokave pa para ose me vlera qesharake, publike dhe private, për një dorë biznesmenësh vendas me histori suksesi në monopole ose në krimin e organizuar”.

Xama po ashtu vë theksin tek mungesa e një raporti monitorimi për ndikimin që ka patur në ekonomi në 8 vite zbatim të tij. “Kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje iu mohua dhe opozitës, duke vërtetuar se direktiva nga lart në qeveri dhe nga biznemenët e mëdhenj është që kjo fushë të mos ketë asnjëherë kontroll”- thotë ajo në profilin e saj në facebook.

Mungesë transparence dhe analize

Investimet strategjike janë përdorur për interesa të ngushta të oligarkëve të lidhur me qeverinë, mendojnë ekspertët, duke anashkaluar interesin publik dhe ndjeshmërinë e komuniteteve që preken nga këto ndërtime. Sipas Preçit, nuk ka asnjë transparencë për ‘arritjet” e një dekade të dhënies së lejeve për investime strategjike, – “vëçanërisht sa i takon krijimit faktik të vendeve të reja të punës dhe të hyrjeve buxhetore të siguruara nga zbatimi i kontratavë të tilla”.

“Qeveria fillimisht gjen apo cakton kompaninë (që vjen vetë ose e prezantojnë lobistë, oligarkë vendas dhe të huaj), pastaj kryen rregullimin përkatës ligjor duke ja u bërë shumë më të vështirë punën edhe institucioneve audituese si KLSH, si dhe atyre hetimorë si SPAK e Drejtoria e Tatimeve”- thotë ai.

Sipas tij, mjafton fakti që më shumë së 2/3 e kontratave të ngjashme të llojit PPP janë nën hetim penal dhe se mbi 95% e investitorëve strategjikë janë vendas, që të kuptohet potenciali për cënimin e interesit publik.

Zgjatja e afatit ligjor do të bëjë të mundur, thotë ai- “ vazhdimin e kësaj gjakrrjedhjeje të pasurive natyrore dhe financiare të vendit”. Xama po ashtu vë thekson tek fakti që propozimi i ri, jo vetëm anashkalon procedurën e konsultimit publik për nevojën reale të zgjatjes, por bën hapa pas në kriteret që klasifikojnë një projekt ‘strategjik’ dhe se ndryshimet po bëhen pa analizuar investimet në fuqi.

Sipas Xamës, ndryshimet e reja lënë mundësi për abuzim.

“Ndryshe nga ligji aktual, i cili kërkon vlerë investimi dhe numër punësimi të lartë, propozimet vendosin një ‘ose’, ose të kesh projekt investimi 50 milion euro, ose 300 të punësuar, ose projekti të jetë në zona me prioritet zhvillimi. Thënë ndryshe, dhe po pate një projekt me vlerë 100 euro, tokën e merr falas sepse po të dojë Komiteti i Investimeve Strategjike të shpall strategjik”- sqaron ajo ndryshimin ligjor.

Xama këmbëngul tek mungesa e një raporti institucional për vlerën reale të investimeve në 43 projekte të dhëna deri më tani, numrin e të punësuarve dhe afatin e zbatimit të tyre.

“Shumë investitorë strategjikë kanë përfunduar me statusin në xhep, tokën e përfituar falas dhe në pritje të dikujt që mund t’ia shesin këto letra me vlerë – ndërsa ekonomia dhe interesi publik kanë humbur”- përfundon gazetarja.

Pikëpyetje për ligjshmërinë e propozimit

Ndryshimet e reja ngrenë pikpyetje dhe për ligjshmërinë e “karakterit prapaveprues’ që i japin ligjit.

Edhe pse në praktikën e mëparshme të ndryshimeve që i janë bërë ligjit shumica e ka votuar zgjatjen e afatit brenda muajit dhjetor para mbarimit të afatit të vjetër, këtë herë PS kërkon t’i japë efekt prapaveprues duke shtrirë efektet nga 1 janari 2024.

Në relacionin shoqërues propozuesi e mbron “fuqinë prapavepruese” si përjashtim për të mos ndërprerë vijimësinë e aplikimeve për statusin e investitorit strategjik pranë Agjencisë së Investimeve (AIDA) .

“ Ne rastin konkret, qëllimi i propozimit është shmangia e pasojave negative që lidhen me ndërprerjen e vijimësisë së ligjit e për rrjedhojë të aplikimeve të mundshme”- thuhet në relacion.

Deputeti Shalsi i tha BIRN-it se bëhej fjalë vetëm për një nen dhe jo për të gjithë ligjin.

“Ligji nuk ka afat, bëhet fjalë për nenin 36, kur është miratuar ka patur një afat dhe ka të bëjë me afatet e aplikimit për shkak të interesit dhe këto ndryshime duhet të krijojnë vijueshmërinë”- tha ai duke shtuar se “ligji vetë nuk ka efekte prapavepruese”.

Sipas tij kërkesat e re ja për status strategjik do të depozitohen pas hyrjes në fuqi të amendamentit të propozuar nga ai.

Por, ekspertë të ligjit ngrenë pikpyetje për bazën juridike të efektit prapaveprues të ligjit.

Avokati Viktor Gumi, i tha BIRN-it se, “ashtu siç ishte praktika, ndryshimi ligjor duhej të ishte bërë para mbarimit të afatit 31 dhjetor 2023, madje te ishte botuar ne fletoren zyrtare para kësaj date”.

“Për mua mund të zgjatet afati në nenin 36, por duke e riformuluar komplet nenin sepse ai është nen tashmë “bosh” pa rreshta normative”- argumenton Gumi, duke shtuar se në këtë rast “parlamenti legjitimohet duke e shkruar një nen të ri 36 me afat dhe jo të ndryshojë një gjë është bosh”.

Arena e Lajmit

“Skema ka favorizuar një grup oligarkësh dhe cenuar pronën private”, BIRN: Klientelist, kundërshtohet shtyrja e afatit për “Investimet Strategjike”

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook