Një ngjarje e rëndë është zbuluar ditën e sotme nga policia e Tiranës, ku një 35-vjeçar, Jetnor Zhaboli, mbante të mbyllur prej muajsh nënën, gruan dhe dy fëmijët e mitur, brenda banesës së tyre.
Gazetari Igli Çelmeta ka zbuluar detaje lidhur me ngjarjen, si dhe mënyrën sesi policia arriti ta zbulonte.
Policia kishte marrë fillimisht informacion dhe kishte indicie që një person mbante familjarët të mbyllur. Pasi efektivët kanë shkuar në këtë banesë, kanë parë që ishte e mbyllur. Më pas kanë shoqëruar 35-vjeçarin i cili ka hapur derën e banesës.
Pasi janë futur në banesë, kanë parë që shtëpia ishte e gjitha me kamera sigurie, në të gjitha dhomat e po ashtu edhe në tualet. Pas kontrolleve janë gjetur edhe dy letra që gruaja kishte lënë, ku lihej të kuptohej se kishte tentuar vetëvrasjen, duke u dhënë lamtumirën dhe duke u kërkuar falje familjarëve.
Menjëherë më pas është bërë arrestimi i 35-vjeçarit, si dhe janë shoqëruar në komisariat nëna, gruaja dhe fëmijët. Nga dëshmitë e dhëna nga bashkëshortja, thuhet se 35-vjeçari përveçse se u kishte hequr lirinë, edhe i dhunonte.
Sakaq, pas dëshmisë, gruaja dhe fëmijët janë strehuar tek banesa e prindërve të saj, në zonën e Paskuqanit.
Vetë ai ka deklaruar se kjo ishte mënyra sesi ai mund t’i mbante nën kontroll.